Kryeministri grek në Turqi mes tensioneve në rritje

Evropë

Kryeministri grek në Turqi mes tensioneve në rritje

Më: 13 mars 2022 Në ora: 15:44
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë drekës së punës me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, Turqi (13 mars 2022)

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ndodhet sot në një vizitë në Turqi për të mbajtur bisedime me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, tensionet në rritje mes dy vendeve kanë shkaktuar tashmë edhe viktima.

Vdekja nga ngrica e 19 emigrantëve në anën turke të kufirit me Greqinë në muajin shkurt u pasua nga një luftë e ashpër fjalësh mes Athinës dhe Ankarasë, që përpiqeshin të fajësonin njëra-tjetrën për tragjedinë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i rriti më tej tensionet duke vënë në pikëpyetje sovranitetin e ishujve grekë në Detin Egje.

Vizita në Turqi e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis vjen ndërsa në Athinë vazhdon të rritet shqetësimi rreth qëllimeve të Turqisë.

“Turqia është pikërisht si Rusia. Nuk ka mekanizma kontrolli, balancimi, nuk ka opozitë. Opozita është më mbretërore se vetë mbreti. Janë shumë, shumë radikalë kur bëhet fjalë për Greqinë dhe Qipron”, thotë Cengiz Aktar, nga Universiteti i Athinës.

Por, Ankaraja është e alarmuar nga programi i shpejtë i riarmatimit të Greqisë. Athina ka blerë avionë të sofistikuar luftarakë dhe luftanije, duke krijuar frikën në Turqi se balanca e fuqisë mund të anojë në favor të Greqisë.

Avionët turq dhe ata grekë shpesh ndjekin njëri-tjetrin në hapësirat e kontestuara ajrore.

Thellimi i bashkëpunimit mes Athinës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vendeve të Mesdheut lindor përbën gjithashtu një shqetësim madhor për Turqinë, thotë Mesut Casin, këshilltari i Presidentit turk Erdogan.

“Armatimi i tepruar i Greqisë dhe dëshirat e saj maksimaliste për t’u zgjeruar në territorin turk, në kombinim me Qipron, kërcënojnë Turqinë në Mesdhe dhe në Egje. Avionët e tyre mund të godasin bregdetin turk në Egje brenda gjashtë minutave dhe raketat e tyre moderne kërcënojnë sistemet mbrojtëse të Turqisë”, thotë zoti Casin.

Disa analistë paralajmërojnë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po krijon një shembull të rrezikshëm për rajonin.

“Në këtë perspektivë shumë militariste, në këtë perspektivë të ushtrimit të forcës që po mbizotëron në psiqikat e të gjitha vendeve, mendoj se edhe Greqia dhe Turqia do të përplasen herë pas here ushtarakisht. Le të shpresojmë që nuk do të jetë si ajo çfarë shohim në Ukrainë”, i tha Zërit të Amerikës Sezin Oney, analiste politike.

Megjithatë, përpjekjet për bashkërendim nga Izraeli dhe Turqia, të nxjerra në pah nga vizita të mërkurën në Ankara e presidentit të Izraelit, mund të shërbejnë për të zbutur tensionet greko-turke.

“Vizita e presidentit izraelit jep një mesazh edhe për partnerët në forumin e Mesdheut Lindor se Izraeli nuk dëshiron të bëhet pjesë e përplasjeve të Greqisë dhe Qipros me Turqinë. Kjo mendoj se mund të ketë një ndikim stabilizues”, i tha Zërit të Amerikës Soli Ozel, nga Universiteti Kadir Has.

Duke qenë se si Turqia edhe Greqia mbështeten së tepërmi tek turizmi për të nxitur ekonomitë e tyre të dobësuara, disa analistë thonë se objektivi i zotit Mitsotakis gjatë takimit me zotin Erdogan është që të marrë një angazhim për shmangie të tensioneve, të paktën gjatë sezonit fitimprurës të verës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat