Serbia i shmanget deklarimit për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës

Evropë

Serbia i shmanget deklarimit për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës

Më: 17 mars 2022 Në ora: 19:31
Ilustrim

Përfaqësuesit e Serbisë kanë shmangur deklarimin e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë Parlamentare të organizatës të martën dhe të nesërmen në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, shkruan agjencia Beta.

Më 16 mars, Këshilli i Evropës e përjashtoi Rusinë nga anëtarësimi për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës, një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi njëzëri mendimin se Rusia nuk mund të jetë më anëtare e asaj organizate.

Ministria e Jashtme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së agjencisë Beta se si kanë votuar përfaqësuesit e saj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës kur është marrë vendimi për përjashtimin e Rusisë.

Përfaqësuesit e Serbisë janë në listën e të pranishmëve në takim, por, sipas Beta, ata e kanë lënë takimin para se të deklarohen.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më parë miratoi njëzëri mendimin se Rusia nuk mund të jetë më anëtare e organizatës. Nga gjithsej 324 anëtarë, 219 votuan, prej tyre 216 "pro" dhe tre abstenuan. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Këshillit të Evropës, asnjë nga shtatë deputetët serbë nuk ka votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat