Ligjvënësit rusë zgjerojnë ligjin për “informacionet e rreme”

Evropë

Ligjvënësit rusë zgjerojnë ligjin për “informacionet e rreme”

Më: 22 mars 2022 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Ligjvënësit rusë kanë miratuar një ligj që kriminalizon shpërndarjen “e informatave të rreme” lidhur me operacionet e entiteteve të shtetit, përfshirë edhe të ambasadave jashtë vendit. Ky është një zgjerim i legjislacionit që bëri që disa media të pezullonin operacionet e tyre në Rusi.

Ligji i miratuar në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Dumën Shtetërore, në leximin e dytë dhe të tretë, më 22 mars zgjeroi ligjin e mëhershëm që bënte vepër penale shpërndarjen “e informacioneve të qëllimshme të rreme” lidhur me operacionet e forcave të armatosura ruse jashtë vendit.

Ligji i ri parasheh dënim deri me 15 vjet burgim për ata që gjenden fajtorë për shpërndarjen e “informacioneve të rreme” lidhur me operacionet e misioneve diplomatike ruse jashtë vendit, prokurorët, Gardën Kombëtare ruse, Ministrinë e Emergjencave dhe për trupa të tjerë shtetëror. Edhe ligji paraprak parashihte dënime të ngjashme.

Ky legjislacion pritet të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit dhe më pas nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ky legjislacion do të shtohet si klauzolë në ligjin e mëparshëm, që është nënshkruar më 5 mars nga Putini.

Ky ligj është pjesë e fushatës së shtypjes së mediave të pavarura vendore dhe ndërkombëtare që mbulojnë pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.

Në mesin e mediave ndërkombëtare që kanë pezulluar operacionet në Rusi janë: BBC, CNN, Bloomberg, CBS, ARD, ZDF. Por, BBC dhe ARD më pas kanë rihapur selitë e tyre në Rusi.

Disa ueb-faqe të Radios Evropa e Lirë dhe BBC-së, por edhe të mediave të tjera, janë bllokuar pasi rregullatorët rusë thonë se nuk kanë ndjekur rregullat e Qeverisë ku përfshihet edhe ndalesa që veprimet e Moskës në Ukrainë të quhen “pushtim” apo luftë”.

Mbikëqyrësi i mediave në Rusi, Roskomnadzor, po ashtu ka bllokuar disa platforma të mediave sociale.

Më 21 mars, një gjykatë në Moskë i shpalli “organizata ekstremiste” platformat e kompanisë Meta, duke i shpallur të jashtëligjshme Facebook-un dhe Instagram-in./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat