Greqia masa urgjente për gazin dhe drithin, kryeministri: Periudhë pasigurie

Evropë

Greqia masa urgjente për gazin dhe drithin, kryeministri: Periudhë pasigurie

Më: 3 prill 2022 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe shantazhi i presidentit Putin për fatura me rubla, kanë alarmuar edhe qeverinë greke.

Në Greqi gazin e sjellin tre kompani vendase dhe ajo që ka pjesën më të madhe prej 2 mld metra kub në vit,  do të duhet që në 20 prill të kryejë pagesën e radhës.

Ndërsa varësia e Greqisë nga gazi rus është në 45% të nevojave të saj, qarqet qeveritare në Athinë theksojnë se në se Moska mbyll rubinetin e gazit kjo përqindje do të  duhet të plotësohet nga burime të tjera.

E ndodhur përballë shumë sfidave paralele, qeveria përpiqet të menaxhojë situatën,e cila do të ketë një kohëzgjatje të madhe siç ka parashikuar kryeministri grek në takimin me presidenten e vendit.

Kyriakos Mitsotakis: Për momentin nuk duket të ketë shumë optimizëm sa i përket përfundimit të luftës dhe të gjithëve mund të na duhet të përshtatemi me një periudhë pasigurie dhe paqëndrueshmërie të zgjatur.

Ka disa javë që Greqia, e cila kishte vendosur të mbyllte termocentralet e prodhimit të energjisë elektrike me qymyr ,ka rivënë në punë tre prej tyre dhe pritet që mund të punojnë me kapacitet të plotë edhe katër të tjerat në veri të vendit,apo të shndërrohen ato nga funksionimi me gaz, në naftë.

Mendohet madje të ketë edhe ndërprerje periodike të energjisë elektrike tek fabrikat me intensitet të lartë energjie dhe konsumatorët privatë gjatë periudhave të rritjes së kërkesës.

Ndërkohë të dhënat tregojnë se Greqia është shumë e varur nga Rusia edhe sa u përket drithërave dhe pas deklaratave të Moskës për ti tregëtuar ato vetëm në shtetet mike, në vend është dhënë alarmi.Greqia bleu vitin e kaluar nga Rusia 223,000 ton grurë, 135,000 ton misër dhe 42,000 ton panxhar dhe kallam sheqeri .

Ndaj në planet emergjente të Athinës përfshihen tregjet alternative për furnizimin me grurë të zakonshëm, misër apo vaj luledielli si Bullgaria, Rumania, SHBA dhe Kanadaja me stoqe të mëdha rezervash apo edhe  Argjentina,ndërsa për  ushqimin e kafshëve do preferohet  India dhe Malajzia.

Por problematika më e madhe e qeverisë greke është inflacioni rekord i 26 viteve të fundit , që shkoi në muajin mars në 8% ,si dhe përballja me rritjen galopante të çmimeve të karburanteve, energjisë dhe ushqimeve që kanë sjellë një frymë tepër të madhe pakënaqësie thuajse në të gjitha shtresat e popullsisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat