Kriza e çmimeve/ Normat e interesit në Eurozonë do të rriten për herë të parë në 11 vjet

Evropë

Kriza e çmimeve/ Normat e interesit në Eurozonë do të rriten për herë të parë në 11 vjet

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 07:29
Foto ilustrim

Banka Qendrore Europiane (BQE) ka deklaruar se synon të rrisë normat e interesit muajin e ardhshëm, për herë të parë në më shumë se 11 vjet, në një përpjekje për të kontrolluar inflacionin në rritje të eurozonës.

BQE tha se do të rriste normat bazë të interesit me 0.25% në muajin korrik, duke deklaruar gjithashtu se janë planifikuar edhe rritje të mëtejshme më vonë gjatë vitit.

Banka synon gjithashtu të mbyllë programin e saj stimulues për blerjen e obligacioneve më 1 korrik.

Vlerësimi i fundit për inflacionin në eurozonë ishte 8.1%, një shifër shumë më e lartë se objektivi i BQE.

“Inflacioni i lartë është një sfidë e madhe për të gjithë ne. Këshilli drejtues i BQE do të sigurohet që inflacioni të kthehet në objektivin e tij prej 2% në planin afatmesëm,” tha BQE në një deklaratë.

“Ky nuk është thjesht një hap, është një rrugëtim i gjatë,” tha presidentja e BQE, Christine Lagarde, duke iu referuar ndryshimeve të normave.

Norma kryesore e interesit e BQE-së është aktualisht në -0.50% dhe ajo mund të shkojë në zero ose në vlerë pozitive deri në fund të shtatorit, tha banka. Hera e fundit që normat e interesit u rritën në eurozonë ishte në vitin 2011.

Inflacioni në maj “përsëri u rrit ndjeshëm” për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve.

Por, banka tha se presionet inflacioniste ishin “zgjeruar dhe intensifikuar, për shkak të rritjes së fortë të çmimeve për shumë mallra dhe shërbime”.

Si rezultat i kësaj, banka e ka rritur vlerësimin për inflacionin e këtij viti në 6.8%, përpara se ai të zvogëlohet në 3.5% për vitin 2023 dhe në 2.1% për vitin 2024.

BQE gjithashtu uli parashikimin e saj të rritjes ekonomike të eurozonës nga 3.7% në 2.8% për vitin 2022 dhe nga 2.8% në 2.1% për vitin 2023.

Shumë banka të tjera qendrore kanë filluar me rritjen e normave të interesit, në një përpjekje për të ngadalësuar inflacionin që është përshpejtuar për shkak të rritjes së kostove të energjisë.

Në SHBA, Rezerva Federale i ka rritur dy herë normat e interesit këtë vit, ndërsa një seri lëvizjesh nga Banka e Anglisë ka bërë që normat në Mbretërinë e Bashkuar të rriten në 1% – niveli më i lartë në 13 vjet.

Duke folur në një konferencë shtypi pas vendimit të BQE-së, presidentja e bankës, Christine Lagarde, tha se inflacioni do të mbetet “i lartë edhe për disa kohë”.

Çmimet e energjisë janë rritur me gati 40% krahasuar me një vit më parë, tha ajo, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 7.5% në maj, pjesërisht për shkak të ndikimit të luftës në Ukrainë në furnizimet me ushqime.

“A presim që rritja e normës së interesit në muajin korrik do të ketë një ndikim të menjëhershëm në uljen e inflacionit? Përgjigjja është jo,” tha ajo.

Seema Shah, kryestratege në Principal Global Investors, tha: “Me këtë perspektivë për inflacionin dhe për rritjen e pashmangshme të normave, BQE po përballet me kërcënimin e stagflacionit të plotë.”

“Kostot jashtëzakonisht të larta të jetesës nënkuptojnë se rritja e eurozonës do të ngadalësohet gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, duke e bërë recesionin gjithnjë e më të mundshëm – veçanërisht tani, me shtrëngimin e politikave monetare në planin afatshkurtër.”/ BBC- MONITOR

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat