Takimi Putin-Erdogan nënvizon lidhjet komplekse Rusi-Turqi

Evropë

Takimi Putin-Erdogan nënvizon lidhjet komplekse Rusi-Turqi

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 18:05
Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai turk Tajip Erdogan po takohen të premten për herë të dytë në pak më shumë se dy javë, pasi Turqia ndihmoi për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, të bllokura për shkak të sulmit të Rusisë.

Mbështetësit e Presidentit Erdogan thonë se marrëveshja, e cila mund të frenojë çmimet e larta të ushqimeve në nivel global, thekson rëndësinë e kontakteve diplomatike të Turqisë anëtare të NATO-s, me të dyja palët.

Edhe pse Turqia e ka kritikuar sulmin e Moskës dhe ka mbështur me armë Ukrainën, ndryshe nga aleatët perëndimorë ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

Ky ekuilibër i kujdesshëm pasqyron kompleksitetin e lidhjeve të saj me Rusinë, duke filluar nga bashkëpunimi i ngushtë në furnizimin me energji, e deri tek konkurrenca ushtarake në Siri, Libi dhe Azerbajxhan. Disa ditë pasi presidentët Putin dhe Erdogan u takuan në Teheran, Turqia mbikëqyri një marrëveshje për rifillimin e eksporteve ukrainase të grurit.

Sipas marrëveshjes, Turqia do të administrojë një qendër të përbashkët ku përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara do të punojnë për të siguruar kalimin e sigurt të eksporteve të drithit në tregjet botërore.

Turqia varet shumë nga Rusia dhe Ukraina për grurin. Për vitin 2021 Turqia siguronte 56% të importeve të grurit nga Rusia ose 2.24 miliardë dollarë, ndërsa importet nga Ukraina arritën në 861 milionë dollarë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat