Edhe kjo i ndodhë rusëve, arrestojnë në Moskë të riun që mbështet pushtimin e Ukrainës

Evropë

Edhe kjo i ndodhë rusëve, arrestojnë në Moskë të riun që mbështet pushtimin e Ukrainës

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 12:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Këshilltari i ministrit të Brendshëm ukrainas, Anton Gerashchenko, ka publikuar një video të re, ku shihet se si policia ruse arreston të riun që mbështet pushtimin rus në Ukrainë.

Ai në fakt po debatonte ashpër me kundërshtuesit e luftës në Ukrainë, duke pretenduar se Ukraina është “territor rus”, por protestuesit në Moskë e kundërshtonin duke thënë se Luhansku e Odesa e shumë qytete tjera nuk janë të Rusisë.

Megjithatë në ato momente kaosi dhe paniku, policia duket se e ngatërron me qytetarët që kundërshtonin luftën e në veçanti mobilizimin që e shpalli Rusia, ku mbi 300 mijë rezervistë do të dërgohen për të luftuar në Ukrainë.

Policët i afrohen nga pas dhe e arrestojnë të riun, e kjo mjaftoi që Gerashchenko ta publikojë videon me të cilën tallet dhe me një dozë ironie shtron një pyetje.

“A e arrestuan rusët një nga promovuesit e tyre? Natyrisht. Kjo është Rusia”, shkroi me një dozë ironie Gerashchenko.

Ndryshe në Rusi që nga shpallja e mobilizimit të pjesshëm kanë shpërthyer protesta, ku policia ruse nuk po kursen askënd – duke arrestuar me mijëra qytetarë që po e ngritin zërin kundër Putinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat