Popullsia gjermane arrin rekordin prej 84 milionë, bashkë me refugjatët ukrainas

Evropë

Popullsia gjermane arrin rekordin prej 84 milionë, bashkë me refugjatët ukrainas

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 09:00
Gjermania

Fluksi i refugjatëve ukrainas në Gjermani e ka çuar popullsinë e vendit në një nivel të ri historik prej më shumë se 84 milionë, njoftoi Zyra Federale e Statistikave Gjermane.

Deri në fund të qershorit, popullsia e vendit u rrit me 843 mijë njerëz, ose 1 për qind, krahasuar me fundin e vitit 2021, shkruan Euronews.

Rreth 750 mijë refugjatë ukrainas erdhën në Gjermani për të kërkuar siguri nga pushtimi rus në gjysmën e parë të vitit 2022.

Shumica e tyre ishin femra, raportoi zyra e statistikave, duke thënë se deri në fund të qershorit 501 mijë më shumë gra dhe vajza ukrainase jetonin në Gjermani sesa në fund të vitit 2021, ndërsa numri i burrave dhe djemve ukrainas u rrit me 248 mijë.

Gjermania përjetoi rritje të popullsisë të kësaj shkalle edhe më parë – në dy raste të lidhura me emigracionin, në vitin 1992 dhe 2015.

Në vitin 1992, menjëherë pas rënies së komunizmit dhe ribashkimit të Gjermanisë, erdhën rreth 700 mijë njerëz, të cilët ikën nga lufta në Jugosllavi dhe erdhën nga Evropa Lindore pas hapjes së kufijve atje.

Në vitin 2015, pothuajse 1 milion emigrantë erdhën nga vende të shkatërruara nga lufta si Siria, Iraku dhe Afganistani.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat