Pushimi në Mal të Zi bëhet ikje nga thirrja e mobilizimit për rusët

Evropë

Pushimi në Mal të Zi bëhet ikje nga thirrja e mobilizimit për rusët

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 09:49
Svetlana, për Reuters thanë se pushimi dy-javor në Mal të Zi u zgjat pas thirrjes së Putinit.

Urdhri i presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të rezervistëve për luftën në Ukrainë, i ka vazhduar pushimet në Mal të Zi një çifti.

Aleksandri dhe gruaja e tij, Svetlana, për Reuters thanë se pushimi dy-javor në Mal të Zi u zgjat pas thirrjes së Putinit.

Duke folur për Reuters në qytetin e Budvës të Malit të Zi, Aleksandri, 30 vjeç, një kopshtar, tha se nuk kishte plane të kthehej prapa dhe të rrezikonte të thirrej për të shkuar dhe për të luftuar.

“Kjo nuk është lufta jonë. Ne po sulmojmë fqinjët tanë, vëllezër, ne po përpiqemi të pushtojmë territore që nuk janë tonat”, tha ai.

“Unë definitivisht nuk do të luftoj për këtë, e lëre më të vdes për të.”

Zyrtarët rusë kanë thënë se 300 mijë trupa nevojiten për mobilizimin, teksa përparësi do t’u jepet personave me përvojë ushtarake.

Dhjetëra mijëra njerëz, shumë prej tyre meshkuj, kanë mbytur pikat kufitare midis Rusisë dhe republikave fqinje ish-sovjetike si Gjeorgjia, Kazakistani apo Taxhikistani. Të tjerët blenë me ngut bileta ajrore të shtrenjta për në vendet e Evropës Perëndimore, Malin e Zi, Turqinë ose Izraelin.

“Kam frikë se shumë të tjerë do të largohen nëse ato (autoritetet ruse) përfundimisht nuk mbyllin kufijtë. Kam frikë se nuk do të kemi miq në Rusi,” tha Alexander.

Rusia numëron zyrtarisht miliona ish-rekrutë si rezervistë – shumica e popullsisë mashkullore në moshë luftarake.

Maksim, 48 vjeç, një mjek, po ashtu ishte duke pushuar në Mal të Zi kur dëgjoi për mobilizimin në shtëpi. Ai vendosi të mos kthehej në Moskë.

“Shumë nga kolegët e mi kanë marrë fletëthirrje. Disa janë edhe më të vjetër se unë dhe jo aq të shëndetshëm për të luftuar,” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat