Britania ka mijëra mjekë më pak "për shkak të Brexitit"

Evropë

Britania ka mijëra mjekë më pak "për shkak të Brexitit"

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 12:17
Mjekët duke kryer një operacion. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian e ka ulur për gati 4.000 numrin e mjekëve evropianë që kanë punuar për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në këtë shtet, ka gjetur një studim.

Hulumtimi, i kryer nga instituti Nuffield Trust, vë në pah mungesat e anesteziologëve, pediatërve dhe specialistëve të zemrës e mushkërive.

Sipas studimit, rreth 37.000 mjekë nga shtetet evropiane kanë punuar në Britani më 2021.

Megjithatë, Brexiti ka ndikuar në ulje të rekrutimit të stafit mjekësor.

Në një tjetër skenar, Britania do të rekrutonte rreth 41.300 mjekë evropianë, gati 4.300 më shumë sesa që ka tani.

Prej kur Britania është larguar nga blloku evropian, specialistëve u duhet vizë pune, e përcjellë nga kostot e larta dhe procedura burokratike.

Kitty Mohan nga Asociacioni i Mjekëve Britanikë i ka thënë të hënën të përditshmes britanike, Guardian, se edhe nëse më shumë britanikë studiojnë në fushën e mjekësisë, problemi me mungesa nuk do të zgjidhet shpejt, për shkak të kohës që duhet për kualifikim.

Sistemi shëndetësor në Britani konsiderohet me probleme kronike sa u përket fondeve dhe stafit.

Vetëm në Angli besohet se ka mungesë të mbi 10.500 mjekëve.

Britania është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar të vitit 2020, pas një referendumi kundër anëtarësisë në këtë bllok.

Ajo ka qenë pjesë e bllokut evropian prej 1 janarit të vitit 1973./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat