Brukseli propozon planin për konfiskim të aseteve të ngrira ruse

Evropë

Brukseli propozon planin për konfiskim të aseteve të ngrira ruse

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 10:41
Ursula von der Leyen

Komisioni Evropian ka propozuar të mërkurën një plan për të konfiskuar asetet ruse që janë ngrirë si pasojë e sanksioneve për ndëshkim të Moskës, pas luftës së nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

“Ne kemi bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë dhe kemi bllokuar 19 miliardë euro të oligarkëve rusë”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një deklarate.

Ajo ka thënë se BE-ja mund të menaxhojë paratë në periudhë afatshkurtër dhe më pas t’i investojë ato.

Plani parasheh që paratë të mund të ndahen për Ukrainën, si kompensim për dëmet që i janë shkaktuar nga lufta.

“Ne do të punojmë me partnerët tanë në një marrëveshje ndërkombëtare, që ta bëjmë të mundur këtë gjë. Së bashku, ne do të tentojmë të gjejmë rrugë ligjore”, ka thënë von der Leyen.

Ajo ka thënë, po ashtu, se BE-ja është duke propozuar krijimin e një gjykate speciale, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, “për të hetuar dhe gjykuar krimet e kryera nga Rusia”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat