Grupi Wagner ndalon rekrutimin e të burgosurve në Rusi

Evropë

Grupi Wagner ndalon rekrutimin e të burgosurve në Rusi

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 12:45
Selia e Grupit Wagner në Shën Petersburg

Grupi mercenar rus Wagner ka ndaluar rekrutimin e të burgosurve për të luftuar në Ukrainë, tha të enjten themeluesi i kësaj organizate, Yevgeny Prigozhin.

"Rekrutimi i të burgosurve nga kompania ushtarake private Wagner është ndalur plotësisht", tha Prigozhin në një përgjigje ndaj një kërkese për koment nga një media ruse.

“Ne po i përmbushim të gjitha obligimet tona ndaj atyre që punojnë për ne tani”, tha ai.

Wagner filloi të rekrutonte të burgosur të Rusisë në verën e vitit 2022, me Prigozhin, një sipërmarrës, që krishte kaluar nëntë vjet në burg gjatë kohës së ish-Bashkimit Sovjetik, duke u ofruar të dënuarve falje nëse mbijetonin gjashtë muaj në Ukrainë.

Wagner nuk ka dhënë informacion se sa të dënuar iu bashkuan radhëve të tij, por shifrat e shërbimit penal rus të publikuara në nëntor të vitit 2022 treguan se numri it ë burgosurve të vendit ra me mbi 20,000 midis gushtit dhe nëntorit.

Në dhjetor, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se komuniteti i inteligjencës amerikane beson se Wagner kishte 40,000 luftëtarë, ish të burgosur të dënuar, të dislokuar në Ukrainë, duke përbërë shumicën dërrmuese të personelit të grupit.

Grupi Wagner në muajt e fundit ka luajtur një rol të madh në luftën e Rusisë në Ukrainë, sidomos në kryesimin e sulmeve në qytetin Bakhmut të rajonit të Donetskut.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Grupin Wagner “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale” dhe kanë shënjestruar individë dhe entitete që janë pjesë e rrjetit global të këtij grupi rus të mercenarëve.

Mijëra trupa të Wagner-it po luftojnë në Ukrainë dhe themeluesi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, publikisht ka tentuar që të marrë meritat për përparimet në fushëbetejë. Ai po ashtu është parë në video duke rekrutuar luftëtarë për Wagner-in në burgjet ruse, duke u premtuar të burgosurve falje nëse marrin pjesë në luftime.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë kanë fajësuar trupat e Wagner-it për mizoritë kundër civilëve në Ukrainë, teksa pushtimi rus i Ukrainës tani ka hyrë në muajin e 12-të.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat