Britani: Gjithçka gati për kurorëzimin, që nga monedhat, karrocat dhe deri tek filxhanët e dekoruar

Evropë

Britani: Gjithçka gati për kurorëzimin, që nga monedhat, karrocat dhe deri tek filxhanët e dekoruar

Më: 5 maj 2023 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Gjithçka është bërë gati tashmë për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe bashkëshortes së tij Mbretëreshës Camilla, të shtunën më 6 maj. Që nga karrocat e dekoruara me ar dhe deri tek filxhanët e pikturuar, gjithçka duhet të jetë në formën e duhur për këtë ditë të rëndësishme.

Ndërsa po afron kurorëzimi i Mbretit Charles III, monarku u takua me oficerët kadetë të premten.

Mbreti u paraqiti anëtarëve të Akademisë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst flamujt e rinj të sovranit.

Ndërkohë punëtorët po përgatisin karrocat që do të shërbejnë për të transportuar mbretin dhe mbretëreshën për në Katedralen Westminster dhe gjithashtu për në Pallatin e Buckingham-it pas kurorëzimit.

“Kjo karrocë do të jetë në epiqendër të një procesioni shumë më të madh dhe më të gjatë nga Parku i Katedrales Westminster për në Pallatin e Buckingham-it në ditën e kurorëzimit. Karroca është gjigande. Mund ta dalloni tani që unë i qëndroj në krah. Është gati katër metra e lartë. Është mbi shtatë metra e gjatë. Peshon katër tonë. Për shkak të kësaj, mund të përdoret vetëm me ritëm ecjeje, që i rrit madhështinë këtij procesioni të madh mbretëror”, thotë Sally Goodsir, përgjegjëse për artet dekorative në Trustin e Koleksionit Mbretëror.

Image
Kjo karrocë e vjetër që tërhiqet nga tetë kuaj, do t’u japë njerëzve përgjatë rrugës mundësinë për të parë mbretin dhe mbretëreshën e sapokurorëzuar.

“Unë do ta marr mbretin drejt Katedrales Westminster dhe në kthim, si dhe do të sigurohem se gjithçka do të jetë në rregull përpara se të nisemi. Unë bëj inspektimin tim, përpara se Shërbimi Mbretëror i Inspektimit të bëjë punën e tij, për t’u siguruar se gjithçka është sipas standarteve të sigurisë”, thotë kryekarrocieri Matthew Power.

Vetë Katedralja Westminster është bërë gati për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla. Godina është e rrënjosur në traditën dhe historinë mbretërore. Oborri mbretëror njoftoi se këtu do të marrë pjesë në ceremoni edhe Princi Harry, duke lënë kështu pas muaj të tërë spekullimesh për pjesëmarrjen e tij, ndërsa bashkëshortja Meghan do të qëndrojë me fëmijët në Kaliforni.

Image
Monedha

Kompania që prodhon monedhat zyrtare të Britanisë, “The Royal Mint”, ka njoftuar serinë e monedhave të reja për të shënuar kurorëzimin. Portreti i mbretit është punuar prej muajsh nga artisti dhe skulptori Martin Jennings.

“Këtu është përjetuar ndërrimi i çdo monarku që nga Alfredi i Madh, dhe këtë herë nuk ka shumë dallim. Vetëm se ka kaluar një kohë shumë shumë e gjatë që kur kemi parë ndërrim të monarkut”, thotë Rebecca Morgan, përgjegjëse e shërbimeve të koleksioneve në kompaninë “Royal Mint”.

Për të gjithë stafin është hera e parë në jetën e tyre që prodhojnë monedha që nuk mbartin imazhin e Mbretëreshës Elizabeth II. Kurora që duket në monedhë nuk i korrespondon asaj të kurorëzimit dhe u përzgjodh nga vetë mbreti.

Koleksioni Mbretëror ka porositur gjithashtu filxhanë me logon zyrtare të kurorëzimit dhe ato po prodhohen me dorë në kompaninë e poçerisë me famë botërore “Stoke-on-Trent”.

Image
Foto

Kurorëzimi i së shtunës do të zhvillohet i gjithi sipas riteve të lashta ceremoniale dhe do të kulmojë me vendosjen e kurorës mbretërore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat