Kush është Hakan Fidan, kryediplomati i ri i Turqisë?

Evropë

Kush është Hakan Fidan, kryediplomati i ri i Turqisë?

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 22:17
Hakan Fidan

Hakan Fidan, kreu i agjencisë turke të inteligjencës “Organizata Kombëtare e Inteligjencës [MIT]”, është emëruar në postin e ministrit të Jashtëm në kabinetin e ri të shpallur nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Fidan, i cili merr detyrën nga Mevlut Cavusoglu si kryediplomati i vendit, ka lindur në lagjen Hamamonu të Ankarasë në vitin 1968, shkruajnë mediat e huaja.

Ai u diplomua në një shkollë ushtarake dhe një pjesë të konsiderueshme të studimeve akademike kreu gjatë shërbimit të tij në Forcat e Armatosura Turke [TSK].

Gjatë detyrës së tij jashtë shtetit në NATO, Fidan mori diploma universitare në politikë dhe shkenca menaxheriale nga Universiteti i Maryland, që u pasua nga diploma master dhe doktoraturë nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Bilkent.

Pas shërbimit të tij në TSK, Fidan u përqendrua në jetën akademike dhe dha mësime rreth marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetet Hacettepe dhe Bilkent në kryeqytetin turk të Ankarasë.

Fidan mbante poste kritike në politikën e jashtme dhe sigurinë në institucionet shtetërore.

Fidan, 55-vjeç, u emërua shef i MIT nga kryeministri i atëhershëm Erdogan në maj të vitit 2010.

Përpara emërimit të tij në MIT, Fidan punonte në zyrën e Erdogan-it si zëvendës nënsekretar.

Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat