LIVE: Çfarë pritet të ndodhë? Putin nuk dorëzohet - vjen me një paralajmërim të frikshëm pas takimit me Lukashenkon!

Evropë

LIVE: Çfarë pritet të ndodhë? Putin nuk dorëzohet - vjen me një paralajmërim të frikshëm pas takimit me Lukashenkon!

Nga: Bota sot Më: 9 qershor 2023 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 17:52 më 09.06.2023
Vladimir Putini

Putin i bën qejf vetes: Ukraina ka nisur ofensivë, por s’po ka sukses

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Ukraina ka filluar kundërsulmin ndaj forcave ruse.

Ai tha se ofensiva ukrainase dëshmohet nga përdorimi i rezervave strategjike.

“Trupat ukrainase nuk i arritën qëllimet e tyre në asnjë sektor – falë guximit të ushtarëve rusë dhe organizimit të duhur të trupave”, tha Putin, shkruan BBC.

Por,  Putin deri më tani nuk pa paraqitur asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij për dështimin ushtarak të Ukrainës.

Vladimir Putin takohet me Lukashenkon në Rusi, zbardhen diskutimet

Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri bjellorus Aleksandër Lukashenko, janë takuar në Soçi të Rusisë.

Lukashenko e kishte planifikuar më parë takimin, duke shpjeguar se do t’i ofronte presidentit rus një plan zhvillimi për gjendjen e bashkimit midis Moskës dhe Minskut, për ta bërë unionin imun ndaj presionit të jashtëm.

Vendosja e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, do të fillojë pas 7 ose 8 korrikut, kur pritet të përfundojnë punimet e ndërtimit në instalimet e nevojshme.

Kështu deklaroi presidenti Vladimir Putin.

Pamjet tregojnë se Rusia godet një zetor, pretendon se ishte tank

Kremlini pretendoi këtë javë se kishte shkatërruar 8 tanke Leopard që Gjermania i ka dhënë ë Ukrainës dhe publikoi një video që pretendon goditjen dhe shkatërrimin e një tanku me raketë. Por nga analiza e videos, ekspertët thonë se objekti i goditur është një zetor dhe jo tank.

Ambasada ruse në Uashington njoftoi të hënën se forcat e saj kishin “asgjësuar” tetë tanke Leopard të prodhimit gjerman, ndër armët më të avancuara dhe më të fuqishme që vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës.

Një ditë më pas, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë postoi një video në rrjetin Telegram, që sipas saj tregonte pamje të shkatërrimit të një tanku Leopard.

“Do të ishte një lajm i bujshëm nëse Rusia vërtet do të kishte shkatërruar tetë tanke leopard. Por videoja e postuar nga Ministria e Mbrojtjes ruse nuk tregon goditjen e tankeve, por besojmë se godet një traktor”, thotë Michael Biesecker me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Videoja u shfaq gjerësisht në rrjetet e kontrolluara nga Kremlini.

Pamjet tregojnë disa silueta të zeza automjetesh, përpara se një raketë ruse të godasë dhe shkatërrojë një prej tyre, ndërsa dëgjohet një zë në rusisht që thotë “objektivi u godit direkt”.

“Imazhi që shfaqet në video ka katër rrota dhe është i ngritur nga toka. Tanku Leopard është njësh me tokën, lëviz me zinxhirrë dhe jo rrota”, thotë Michael Biesecker me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Disa ekspertë armësh dhe blogerë ushtarakë hodhën dyshime mbi pretendimet ruse se helikopteri kishte goditur një tank.

“Blogerë ushtarakë rusë kanë komentuar se objektet në video nuk janë tanke Leopard”, thotë Valentin Châtelet me Laboratorin Kërkimor Dixhital të Mjekësisë Ligjore të Këshillit të Atlantikut.

Analiza e videos nga Associated Press tregon se në fushë ndodheshin disa makineri bujqësore, ku të bie në sy një zetor për spërkatje dhe dy autokombajna.

Dy ekspertë ushtarakë i thanë agjencisë Associated Press se automjeti i goditur nga raketa ruse nuk ishte tank Leopard, apo ndonjë automjet i blinduar.

Gjermania njoftoi në janar se do t'i jepte Ukrainës 18 tanke Leopard. Kievi shpreson që të marrë vitin e ardhshëm rreth 100 tanke nga vende të ndryshme të NATO-s./VOA

Ushtria ukrainase: Kemi rrëzuar katër raketa dhe dhjetë dronë rus gjatë natës

Forca ajrore ukrainase thotë se iu përgjigj një sulmi ajror rus gjatë natës.

Ai thotë se arriti të rrëzojë katër nga gjashtë raketat e lundrimit të lëshuara nga Rusia.

Gjithashtu forcat ushtarake ukrainase kanë rrëzuar dhjetë nga 16 dronët sulmues rus.

Dy nga raketat ruse të lundrimit kishin goditur më parë një “objekt civil” në Ukrainën qendrore, njoftoi ushtria.

Kujtojmë se mediumi amerikan, Washington Post ka raportuar se ka nisur kundërsulmi i shumëpritur ukrainas për çlirimin e territoreve të okupuara nga Rusia.

Kjo e fundit ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. 

Tetë të vdekur dhe 5800 të evakuuar pas shembjes së digës në Kakhovka

Tetë persona kanë vdekur në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe më shumë se 5800 janë evakuuar nga shtëpitë e tyre si rezultat i shembjes së digës Kakhovka në jug të Ukrainës, tha të premten një zyrtar i lartë i emëruar nga Rusia.

Vladimir Saldo, kreu i emëruar nga Rusia i provincës Kherson të Ukrainës, të cilën Rusia pretendon se e ka aneksuar në mënyrë të ligjshme, akuzoi Ukrainën për vazhdimin e granatimeve të shpëtimtarëve në bregun e majtë të lumit Dnipro, të kontrolluar nga Rusia, raporton theguardian.

Në një postim në Telegram, Saldo tha se niveli i ujit në afërsi të Nova Kakhovkas, qyteti ngjitur me digën në anën e poshtme të rrjedhës, kishte rënë me 2.5 metra.

Sidoqoftë, në Oleshky dhe Hola Prystan, përballë qytetit Kherson të kontrolluar nga ukrainasit në grykëderdhjen e Dnipro, niveli i ujit mbeti “në maksimum”.

Saldo tha se përmbytjet mund të mos ulen edhe për dhjetë ditë të tjera dhe se gjithsej 22,273 shtëpi ishin përmbytur në 17 qytete dhe fshatra të pjesës së Khersonit të kontrolluar nga Rusia.

Ndryshe, autoritetet ukrainase kanë publikuar një audio-incizim, ku dëgjohen disa rusë duke marrë përsipër shpërthimin e digës dhe hidrocentralit.

Luftë nga të gjitha frontet, dy njerëzit më të fuqishëm në Kremlin zbulojnë skenarët apokaliptikë

Në gjithë luftën e Rusisë në Ukrainë, janë dy emra që janë bërë figura kyçe. I pari është Yegney Prigozhin, i dalluar për marrjen e kontrollit të qytetit lindor të Bakhmutit, me ndihmën e ushtrisë private që ai kontrollon dhe udhëheq, Wagner. I dyti është Ramzan Kadyrov, luftëtarët e të cilit gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konflikt. Megjithatë, mes tyre duket se ka një rivalitet, sidomos pas thashethemeve se lideri çeçen do të jetë “zëvendësues” i Prigozhin. Të enjten, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha se kritikat e shpeshta ndaj Prigozhin nga zyrtarët çeçenë mund të jenë pjesë e një komploti të Kremlinit për të “goditur” shefin mercenar ndërsa trupat e tij tërhiqen nga vijat e frontit. Megjithatë, ka diçka që i bashkon të dy, paralajmërimet e frikshme për “armikun”, që nuk i kanë kursyer asnjëri. Prigozhin ka paralajmëruar se Rusia do të sulmojë me armë bërthamore territorin e vet, ndërsa Kadyrov se ushtria e tij është aq e fuqishme sa mund të pushtojë edhe vende europiane.

Alarmi i Prigozhin

Shefi i grupit mercenar Wagner ka pretenduar se Rusia mund të godasë me armë bërthamore territorin e saj në rajonin e Belgorodit, ku kryengritësit anti-Putin po “bëjnë kërdi”. Prigozhin, i cili ka qenë shumë kritik ndaj ushtrisë ruse, tha se forcat e Putinit mund të tërhiqen nga rajoni, pikërisht prej këtyre planeve mizore. “A është kjo arsyeja pse Rusia po tërhiqet në rajonin e Belgorodit, duke i lejuar ukrainasit të përparojnë, sepse është e frikshme të hedhësh një bombë në territorin e dikujt tjetër, por ne do ta hedhim në token tonë?”, pyeti Prigozhin me ironi, në një video. "Nuk dihet nëse bomba bërthamore do të funksiononte siç duhet," shtoi ai, duke vënë sërish në dyshim aftësitë ushtarake të Rusisë.

Sulm ndaj Moskës

Gjatë intervistës, Prigozhin, i cili për një kohë të gjatë ka sulmuar autoritetet ruse, sepse ato nuk kanë siguruar municion të mjaftueshëm për trupat e tij, i ka dërguar një ultimatum të qartë Ministrisë së Mbrojtjes, duke lënë të kuptohet se ai mund të sulmojë Moskën nëse dërgesat nuk mbërrijnë. "Ne i japim ministrisë dy javë kohë për të çliruar territoret tona në rajonin e Belgorodit. Por nëse ata dështojnë, do të shkojmë atje”, tha kreu i Grupit Wagner. "Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse situata vazhdon të përkeqësohet, atëherë ne do të shkojmë në Belgorod. Po sikur të shkojmë në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, për të kërkuar më shumë municion?", paralajmëroi Prigozhin.Përçarja midis mercenarëve të Wagner-it dhe ministrisë ruse të mbrojtjes është thelluar edhe më tej në javët e fundit, sidomos pasi Prigozhin tha se kishte kapur rob një nënkolonel të ushtrisë ruse, i cili urdhëroi një sulm ndaj forcave mercenare ndërsa ishte "i dehur".Javën e kaluar, Prigozhin tërhoqi njësinë e tij paraushtarake nga qyteti Bakhmut në Ukrainën lindore.  Të hënën, formacioni i armatosur rus anti-Putin, Legjioni i Lirisë për Rusinë, i propozoi Prigozhin, shkëmbimin e ushtarëve rusë që kapën në Belgorod me nënkolonelin e kapur nga Wagner.Prigozhin refuzoi duke deklaruar se nuk ishte "një rob lufte” dhe duke shtuar se ushtria e tij Wagner "nuk i shkëmben rusët me rusët".

Pushtimi i Evropës

Nga ana tjetër, Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës, publikoi në Twitter një videonga gazeta çeçene Grozny Inform, në të cilën udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov thotë se një ushtri e madhe është gati që mund të pushtojë Poloninë, Francën dhe të arrijë Gjermaninë. “Forcat speciale të Akhmat, të përbëra nga tre divizione, janë një forcë e madhe e aftë për të pushtuar Poloninë, Francën dhe për të arritur në Gjermani. Dhe kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt nëse kundërshtarët nuk ndryshojnë taktikën e tyre”, tha kreu i Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov. Deklaratat, duket se ishin përgjigje për “talljet” e Prigozhin, se batalioni çeçen Akhmat nuk ishte në gjendje të pushtonte as Republikën e vetëshpallur të Ukrainës Donetsk.Prigozhin kishte thënë se njësitë çeçene, besnike të Vladimir Putin, mund të mbanin vetëm disa, por jo të gjitha zonat e rajonit.

Shpërthimi i digës alarmon Perëndimin, ja cila mund të jetë “shënjestra e radhës” e Rusisë, lufta merr drejtim të paparashikueshëm

Shpërthimi i digës Nova Kakhovka është më shqetësuese sesa mendon presidenti rus Vladimir Putin dhe gjeneralët e tij dhe mund të nxisë përshkallëzim të rrezikshëm. Kjo ngjarje e çon luftën në një drejtim edhe më të rrezikshëm. Ndikimi ushtarak ka të ngjarë të jetë i përkohshëm.Ben Barry, nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike, tha:

"Mund të pengojë ushtarët të kalojnë lumin për disa javë”.

"Vështirë të thuhet për sa kohë. Por kur toka të thahet, Ukraina do të mund të kalojë një lumë siç bënte edhe përpara përmbytjes."  Rusët kanë fajësuar ukrainasit për sulmin, por shumica e analistëve e kanë hedhur poshtë këtë pretendim. Ngjarja i ndihmon rusët duke zvogëluar gjatësinë e vijës së frontit, duke e lejuar të përqendrojë vëmendjen në lindje, por jo për shumë kohë. Goditja ka pasoja edhe për rusët, duke përmbytur disa nga pozicionet mbrojtëse që ata kanë në bregun jugor.

Një veprim joproporcional dhe irracional. Por ky mund të ketë qëllimi. Putin e di se shpërthimi i digës e bën atë të duket më i rrezikshëm. Tani dilema është çfarë do të bëjë pas kësaj Rusia. Kudo në Perëndim, vëmendja është tek tek termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia. Shpërthimi rrezikon furnizimin me ujë të sistemeve të saj ftohëse. Dhe Rusia mund të synojë të sabotojë centralin për të ndryshuar rrjedhën e luftës. Por sërish çdo fatkeqësi në Zaporizhzhia kërcënon më së shumti Rusinë.

Erërat mbizotëruese do të kishin më shumë gjasa të përçonin rrezatimin në lindje përtej kufirit rus. Ajo që mund të themi me siguri është se kjo luftë po shkon sërish në një drejtim më të paparashikueshëm dhe sa më gjatë të vazhdojë, aq më shumë ka gjasa të ndodhin goditje të tilla.

NATO një hap larg kthesës drastike, aleanca mund të vendosë trupat në Ukrainë, çfarë fshihet pas hipotezës dhe pse vendet anëtare po rrezikojnë kaq shumë

Në rast se nga samiti i NATO-s në Vilnius, i planifikuar për në 11 dhe 12 korrik në kryeqytetin e Lituanisë, vendet anëtare të Aleancës Atlantike, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të japin garanci të vërteta sigurie për Ukrainën, atëherë disa prej tyre mund të të jenë të gatshëm të vendosin trupat e tyre përkatëse në territorin ukrainas në mbështetje të Kievit.Kjo është hipoteza e ngritur nga ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen, i njëjti që shërbeu si këshilltar zyrtar i Volodymyr Zelensky për hyrjen e kombit të sulmuar nga Rusia në arkitekturën evropiane të sigurisë.

Siç raportohet nga “The Guardian”, Rasmussen bëri të ditur gjithashtu se, edhe nëse një grup shtetesh do të vendosin garancitë e duhura të sigurisë në tryezën e Ukrainës, aktorët e tjerë nuk do të lejonin që çështja e hyrjes së Kievit në NATO të mbetetjashtë agjendës së Vilniusit. Deklaratat e tij erdhën në një moment shumë delikat, pikërisht kur kreu aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, po shpjegonte se çështja e garancive të sigurisë së lartpërmendur do të ishte në axhendën e samitit. Megjithatë, Stoltenberg shtoi se, sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, NATO ofron garanci të plota të sigurisë vetëm për anëtarët me të drejta të plota të Organizatës. 

Vendosja e trupave

Në një skenar të tillë, ambasadorja e SHBA në NATO, Julianne Smith tha se një sërë opsionesh po merreshin në konsideratë "për të sinjalizuar se Ukraina po bën përparim në marrëdhëniet e saj me NATO-n". Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë për të mbrojtur Kievin nga tensionet e mundshme në të ardhmen. Dhe pikërisht për këtë arsye Rasmussen ngriti hipotezën e vendosjes së trupave të disa vendeve të NATO-s të dislokuara në territorin ukrainas.

“Ekziston një mundësi që disa vende mund të veprojnë individualisht”, tha ai. Për shembull, në qendër të vëmendjes është Polonia, e cila ka mbështeturqeverinë e Zelensky që nga shpërthimi i konfliktit, si dhe në shtetet baltike. “Nuk do të përjashtoja mundësinë që ajo të angazhohet edhe më shumë dhe të ndiqet nga shtetet baltike, ndoshta duke përfshirë mundësinë e vendosjes ë trupave në terren”, theksoi Rasmussen.

“Polakët mendojnë se për një kohë të gjatë Evropa Perëndimore nuk i ka dëgjuar paralajmërimet e tyre kundër mentalitetit të vërtetë rus”, përfundoi ai. Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka njoftuar se ka pasur një telefonatë me Stoltenberg, në kuadër të samitit të ardhshëm të NATO-s në korrik. “Aleatët duhet të ndërmarrin një hap vendimtar drejt pranimit të Ukrainës. Ne nuk po kërkojmë trupa të NATO-s në terren për t'i dhënë fund kësaj lufte. Ne po kërkojmë garanci për të shmangur luftërat e ardhshme”, shkroi Kuleba në Twitter pas telefonatës. Vetë ministri ukrainas shpjegoi në një intervistë televizive se vendet e NATO-s nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë deri në përfundimin e luftës.

Anëtarësimi i Ukrainës

Rasmussen tha se do të ishte plotësisht e ligjshme që Ukraina të kërkonte një ndihmë të tillë ushtarake dhe sugjerimi i tij duket si një paralajmërim për anëtarët e Aleancës Atlantike. Mesazhi indirekt është se, pa ofruar garanci të vlefshme sigurie në Kiev ose një rrugë drejt hyrjes në NATO, atëherë uniteti i organizatës është në rrezik të madh. Sipas Rasmussen, është thelbësore që Ukraina të marrë garanci të shkruara sigurie, mundësisht përpara samitit, por jashtë kornizës së NATO-s, lidhur me shkëmbimin e inteligjencës, trajnimin e përbashkët, rritjen e prodhimit të municioneve, ndërveprueshmërinë e NATO-s dhe furnizimin me armë të mjaftueshme për të penguar Rusinë nga sulmet e mëtejshme. Në çdo rast, disa aleatë të NATO-s mund ta mbështesin këtë ide, për të shmangur diskutimin lidhur me anëtarësimin e Ukrainës.

“Nuk mendoj se kjo është e mundur. Mendoj se çështja e NATO-s do të diskutohet në samitin e Vilniusit. Kam folur me disa liderë të Europës Lindore dhe ka një grup aleatesh të Europës Qendrore dhe Lindore që duan qartësi, lidhur me çështjen e anëtarësimit të vendit në NATO”, paralajmëroi Rasmussen. Mesazhi i tij është i qartë: është e pamundur të humbet më kohë.

Çka do të bëjnë F16-shit për Ukrainën?

Shumë tabu janë thyer muajve të fundit, kur është bërë fjalë për ndihmën ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Së shpejti, vendi në luftë pritet të sigurojë edhe avionë luftarakë, F16 - ndër armët më të zhdërvjellëta në konflikte.

Si do t’i ndikojnë ato zhvillimet në fushëbetejë?

Kundërofensiva e Ukrainës ‘gati për të filluar’, vazhdojnë sulmet në rajonin kyç jugor të Zaporizhzhia-s

Sulmet ukrainase në rajonin kyç jugor të Zaporizhzhia po vazhdojnë, thonë zyrtarët rusë dhe blogerët ushtarakë, duke raportuar për luftime të ashpra atje, shkruan BBC transmeton “Bota sot”.

Ata thonë se trupat ukrainase – të mbështetura nga tanke, artileri dhe dronë – po përpiqen të avancojnë në jug të qytetit të Orikhiv për natën e dytë me radhë.

Një zyrtar i lartë ukrainas i mbrojtjes tha se armiku ishte në "mbrojtje aktive".

Disa ekspertë ushtarakë kanë thënë se fokusi i kundërsulmimit të shumëpritur të Ukrainës do të jetë Zaporizhzhia.

Ata argumentojnë se Kievi po përpiqet të rifitojë aksesin në Detin Azov, duke i ndarë forcat pushtuese ruse në rajon në dy grupime të shkëputura.

Kjo jo vetëm që do të dobësonte aftësitë e tyre luftarake, por gjithashtu do të eliminonte një urë tokësore për në Krime - gadishulli jugor i Ukrainës i aneksuar ilegalisht nga Rusia në 2014.

Më herët të enjten, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA tha se kundër-ofensiva e Ukrainës kishte filluar - megjithëse Kievi mbetet i hapur për këtë çështje.

Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se "mes një tabloje operacionale shumë komplekse, luftimet e rënda vazhdojnë përgjatë shumë sektorëve të frontit".

Ai shtoi se "në shumicën e zonave Ukraina mban iniciativën".

Rusia pushtoi pjesën më të madhe të rajonit të Zaporizhzhia - përfshirë termocentralin më të madh bërthamor në Evropë - menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një pushtim në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Kryeqyteti rajonal, qyteti i Zaporizhzhia, kontrollohet nga Ukraina.

Kundërofensiva e Ukrainës 'gati për të filluar'

Disa blogerë ushtarakë rusë pro-Kremlinit raportuan të enjten vonë se Ukraina kishte rifilluar sulmet e saj gjatë natës.

Ata thanë se transportuesit e personelit të blinduar dhe dronët që drejtonin zjarrin e artilerisë u vendosën gjithashtu.

Vladimir Rogov, një zyrtar lokal i instaluar nga Rusia, tha se kishte pasur "luftime aktive" në zonën midis Orikhiv dhe Tokmak, me trupat ruse që mbanin pozicionet e tyre.

Qyteti Tokmak shihet nga shumë ekspertë ushtarakë si një objektiv kryesor për Ukrainën, ndërsa ajo kërkon të avancojë në Detin Azov.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se sulmi i raportuar më parë ukrainas ishte zmbrapsur, duke dëmtuar armikun. Ministri nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha në një deklaratë të shkurtër të enjten se forcat ruse janë aktualisht "në mbrojtje aktive" në drejtimin Zaporizhzhia.

Në buletinin e saj të fundit të enjten në mbrëmje, ushtria e Ukrainës deklaroi vetëm se "armiku vazhdon të jetë në mbrojtje" ndaj Zaporizhzhia si dhe në Kherson fqinjë, një rajon i goditur nga një përmbytje masive pasi një digë e madhe u shemb në fillim të kësaj jave.

Ushtria ukrainase shtoi se trupat ruse kishin kryer sulme ajrore atje dhe kishin përdorur artileri gjatë ditës.

Ukraina ka planifikuar një kundërofensivë për muaj të tërë, por ka dashur për aq kohë sa të jetë e mundur të trajnojë trupat dhe të marrë pajisje të avancuara ushtarake nga aleatët perëndimorë.

Muajin e kaluar, Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i tha BBC-së se Kievi ishte gati të nisë sulmin – pa përmendur një datë specifike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat