LIVE: “Kur ndodhi shpërthimi, u dridh toka”/ Flasin dëshmitarët: Putin kishte natën e ferrit!

Evropë

LIVE: “Kur ndodhi shpërthimi, u dridh toka”/ Flasin dëshmitarët: Putin kishte natën e ferrit!

Nga: Bota sot Më: 21 janar 2024 Në ora: 08:50 Përditësuar në ora: 19:45 më 21.01.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Putini kishte një natë ferri pasi dronët goditën fabrikën e naftës të lidhur me Kremlinin

Vladimir Putin kishte një natë ferri në luftën e tij në Ukrainë.

Bëhet fjalë për shpërthime që tronditën prodhuesin më të madh të gazit natyror të lëngshëm në vend, rreth 100 milje në perëndim të Shën Petersburgut, pranë kufirit me Estoninë.

Dhe disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë fabrikën Novatek të lidhur me Kremlinin në portin e Ust-Luga të përfshirë nga flakët.

“Kur ndodhi shpërthimi, u dridh toka”, ka thënë një dëshmitar.

Guvernatori i Leningradit, Alexander Drozdenko konfirmoi shpërthimin në objekt dhe tha se 150 punëtorë u evakuuan.

Drozdenko nuk komentoi mbi shkakun e shpërthimeve, por është raportuar se pas tij qëndronin dronë ukrainas.

Gazeta Fontanka me bazë në Shën Petersburg tha se të paktën dy drone u panë në qiell duke fluturuar drejt qytetit përpara se terminali të përfshihej nga flakët flakë.

Agjencitë lokale të lajmeve raportuan se dy depozita magazinimi dhe një stacion pompimi ishin dëmtuar, por se zjarri tani ishte vënë nën kontroll.

Kreu i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës, thotë se do të vazhdojnë me sulme brenda territorit të Rusisë

Sipas kreut të kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës, Kyrylo Budanov, Ukraina nuk planifikon të ndalë sulmet thellë brenda territorit të Rusisë, pavarësisht shqetësimeve të partnerëve perëndimorë të Ukrainës për një mundësi të kundërpërgjigjes nga ana e Rusisë.

Ai për një intervistë dhënë për Financial Times, ka thënë se një taktikë e tillë e sulmeve ukrainase me dronë është shqetësim për disa partnerë të Ukrainës, që paralajmërojnë se kjo mund të shkaktojë një përgjigje më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin, madje me përdorimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, Budanov thotë se Ukraina do të vazhdojë “punën” e saj brenda Rusisë për të “sabotuar makinerinë luftarake të Putinit”.

“Nuk parashikojmë ndryshime të mëdha në të ardhmen e afërt. Gjithçka që kemi bërë, do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, tha Budanov duke vlerësuar se ky vit do të jetë i vështirë për Ukrainën.

Në anën tjetër, inteligjenca ukrainase po vazhdon të kryej operacione thellë brenda territorit të Rusisë, ku sot është raportuar për sulme me dronë kamikaz në terminalin e prodhuesit më të madh të gazit në Rusi.

Nga ky sulm në këtë terminal është ndërprerë puna, pasi një zjarr i madh ka kapluar pothuajse tërë kompleksin.

Bëhet fjalë për terminalin Ust-Luga në rajonin e Leningradit, që është një objekt shumë i rëndësishëm për makinerinë luftarake ruse, e cila nga të hyrat e shitjes së gazit sponsoron luftën në Ukrainë.

Forcat ruse godasin rajonin e Zaporizhzhia 95 herë, plagoset një person

Forcat ruse goditën rajonin e Zaporizhzhia 95 herë në 16 lokalitete ditën e fundit, raporton Kyiv Independent duke cituar guvernatorin rajonal Yurii Malashko.

Ai tha se një burrë 71-vjeçar u plagos në Huliaipole për shkak të granatimeve të artilerisë, ku pati edhe dy raportime për ndërtesa banimi të shkatërruara.

Rusia kreu shtatë sulme të shumta raketore në Mala Tokmachka dhe Robotyne, si dhe 26 sulme me dronë në Huliaipole, Orikhiv, Zaliznychne, Luhivske, Novoandriivka, Robotyne, Levadne dhe Poltavka, raportoi botimi i lajmeve ukrainase.

62 predha artilerie goditën Novodarivka, Novoandriivka, Mala Tokmachka, Charivne, Shcherbaky, Huliaipole, Lobkove, Kamianske, Piatykhatky dhe vendbanime të tjera.

Sipas Oleksandr Prokudin, kreut të administratës ushtarake rajonale të Khersonit, rajoni jugor i Khersonit u bombardua 76 herë të shtunën. Në të njëjtën ditë, Rusia bombardoi rajonin Sumy 37 herë. Në të dyja rastet, nuk raportohet për viktima civile.

Sulme të ashpra thellë brenda Rusisë, goditet fabrika e armatimit

Gjatë ditës dhe natës së mbrëmshme në Rusi janë dëgjuar një sërë shpërthimesh.

Shpërthimet janë regjistruar në rajonet thellë brenda territorit të Rusisë, tek Smolenska Tula dhe Orela.

Siq shkruajnë mediat ruse, në Tula është sulmuar kompania që merret me prodhimin e armatimit.

Fjala është për kompaninë që prodhon sisteme raketore Pantsir-S, si dhe në mjetet tjera të blinduara të ushtrisë ruse.

Në rrjetet sociale janë shfaqur videot ku shihen dhe dëgjohen shpërthimet.

Nuk dihet nëse ka dëme të mëdha materiale në këtë fabrikë. 

Granatime në Donetskun e pushtuar nga rusët, raportohet për 13 të vrarë

Të paktën 13 persona janë vrarë gjatë granatimit të tregu në periferi të Donetskut, qytet në Ukrainë që aktualisht është nën kontrollin e forcave pushtuese ruse, kanë njoftuar zyrtarët lokalë.

Siç raporton AP, Denis Pushilin, zyrtar i autoriteteve ruse në Donetsk, ka njoftuar sesi gjashtë persona janë lënduar në këtë sulm.

Ai akuzoi ushtrinë ukrainase se ka granatuar Tekstilshchikun, ku si pasojë pati të vrarë dhe të plagosur.

Në anën tjetër, Kievi akoma nuk është deklaruar lidhur me këto pretendime.

Associated Press nuk ka mundur në mënyrë të pavarur të kontrolloj pretendimet e rusëve.

Pushilin tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndihmuar të lënduarit. 

Zelensky llogaritë për më shumë ndihmë ushtarake nga perëndimi për Ukrainën, në dy muajt e ardhshëm

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë mbrëmë se pret që këtë muaj dhe në shkurt, të nënshkruan një sërë pakosh të reja mbrojtëse nga Perëndimi për Ukrainën.

“Po bëhemi gati për marrëveshje të reja me partnerët, marrëveshje të fuqishme bilaterale”, tha Zelensky në adresimin e tij të mbrëmshëm.

“Janari dhe shkurti do të duhej të sillnin rezultate të pritshme. Tashmë ekzistojnë datat e caktuara se kur mund të priten dokumentet e reja”, shtoi presidenti ukrainas, shkruan Reuters.

Pasi që Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, aleatët perëndimorë të Kievit u bashkuan për t’i ofruar ndihmë ushtarake dhe ndihma tjera, për të ndihmuar ukrainasit në mbrojtjen e vendit të tyre.

Por duke marrë parasysh se lufta është duke hyrë në vitin e tretë, me pak ndryshime të rëndësishme në fushëbetejë gjatë 12 muajve të fundit dhe me kundërshtimet në rritje në Shtetet e Bashkuara për pakot e reja të ndihmës ushtarake për Ukrainës, municioni dhe armët kanë munguar muajve të fundit.

Zelensky nuk tregoi se për cilat vendet bëhet fjalë me të cilat do të finalizonte marrëveshjet. Ai e kaloi muajin e fundit nëpër misione diplomatike ndërkombëtare, duke tentuar të sigurojë së ma shumë mbështetje politike dhe ushtarake. 

Nën temperatura -14 gradë celcius Putin zhytet në ujin e akullt, ja arsyeja

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin u zhyt në ujërat e akullta për të shënuar festën ortodokse të Epifanisë në orët e para të ditës, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Edhe pse në temperatura ishte -14 gradë, Putin sipas ritualit, u zhyt tre herë në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

Uji u bekua nga një klerik dhe vlerësohet të ketë fuqi mbrojtëse dhe shëruese.

Vladimir Putin nuk ishte i vetmi që u fut në ujin e ftohtë me këtë rast, besimtarët e të gjitha moshave u zhytën për të festuar ditën e shënuar për Kishën Ortodokse.

Urdhri misterioz i Vladimir Putin: Merrni të gjitha pronat që i përkisnin Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik

Presidenti rus Vladimir Putin është në “gjueti pasurie” – duke urdhëruar zyrtarët të gjejnë prona ruse që dikur i përkisnin ish-Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik (BRSS).

Dekreti i presidentit rus u publikua të enjten. Dekreti cakton fonde për zyrën shtetërore për të kryer kërkime për pasuri jashtë vendit dhe për të siguruar regjistrimin e të drejtave të pronësisë ruse. Dokumenti nuk specifikon madhësinë e buxhetit për këtë operacion dhe as nuk specifikon se çfarë prona po kërkohen, raporton Bloomberg.

Organit shtetëror që iu ngarkua kjo detyrë u emërua si “Departamenti i Pasurive të Huaja i Drejtorisë Administrative të Presidentit të Federatës Ruse”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Fondet do të ndahen për të mbuluar kostot që lidhen me “procesin e kërkimit të pasurive të paluajtshme në pronësi të Federatës Ruse, ish-Perandorisë Ruse, ish-BRSS”, si dhe “regjistrimin e duhur të të drejtave (pronësore)” dhe “mbrojtjen ligjore të këtyre pronave”.

Sipas dekretit, me këtë çështje, përveç administratës presidenciale, do të merret edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Në vitin 2021, Rusia pushoi ndarjen e fondeve për kërkimet e pasurive të paluajtshme jashtë vendit. Rregullorja e re e rivendos mekanizmin e ndarjes së fondeve, duke urdhëruar një kompani të kërkojë dhe të sigurojë mbrojtje ligjore për pronat ruse jashtë vendit.

Ndërsa është e paqartë se çfarë e nxiti dekretin, interesi i Putinit për ish-pronat perandorake nuk ka gjasa të qetësojë shqetësimet për ambiciet e tij në shtetet fqinje, pasi pushtimi rus i Ukrainës tronditi sigurinë evropiane.

Në kulmin e saj, Perandoria Ruse shtrihej në territoret e Polonisë së sotme dhe në shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe Finlandës. Ajo u shpërbë nën presionet politike dhe presionet e tjera që lindën nga Lufta e Parë Botërore dhe Revolucioni Bolshevik i vitit 1917 nën udhëheqjen e Vladimir Leninit, i cili shënoi lindjen e shtetit komunist.

Bashkimi Sovjetik, i formuar në vitin 1922, shtrihej në pjesën më të madhe të territorit të ish-perandorisë, përjashtuar Poloninë dhe Finlandën, derisa u shpërbë më 1991 kur shtetet baltike, Kaukazi, Ukraina, Bjellorusia dhe Azia Qendrore u bënë të pavarura.

Në janar, vendet e Bashkimit Evropian filluan të zbatojnë propozimin e Komisionit Evropian për të përdorur të ardhurat prej 300 miliardë dollarësh të pronave të ngrira ruse në interes të Ukrainës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë, duke e vlerësuar atë si hap “të drejtë dhe ligjor”, si dhe sinjal për agresorët e mundshëm në botë.

Në përgjigje të këtyre veprimeve, zyrtarët rusë kërcënuan veprime të mundshme ligjore dhe premtuan përgjigje të ashpër në rast sekuestrimi të pronave ruse. Kremlini e konsideron çdo përpjekje për të sekuestruar pronat ruse si “vjedhje të drejtpërdrejtë”.

Koreja e Veriut: Putin po planifikon një vizitë në Phenian

Media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi të dielën se presidenti rus, Vladimir Putin kishte shprehur gatishmërinë e tij për të vizituar Phenianin kur u takua me Ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut, Choe Son Hui në Rusi në fillim të javës.

Putin falënderoi gjithashtu liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un për ftesën, tha agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke cituar Ministrinë e Jashtme.

Asnjë datë nuk është caktuar për një vizitë të mundshme, por KCNA citoi Ministrinë e Jashtme të Phenianit të thoshte se ajo do të vinte në një “datë të hershme”.

Do të ishte udhëtimi i parë i liderit rus në Korenë e Veriut në më shumë se dy dekada. Putin vizitoi Phenianin në korrik 2000 për një takim me Kim Jong Il, babain e Kim Jong Un.

Si Putin po kërkon të sulmojë në heshtje Lituaninë, Letoninë dhe Estonin, ndërpriten sinjalet e GPS

Ndërsa NATO përgatit stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë dhe gjithnjë e më shumë zyrtarë flasin për mundësinë e luftës me Moskën në vitet e ardhshme, shtetet baltike kanë filluar të forcohen. Estonia, Letonia dhe Lituania kanë arritur një marrëveshje për të krijuar një “vijë mbrojtëse" në kufirin me Rusinë. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes i Talinit, Hanno Pevkur, i cili në një postim në X theksoi rëndësinë e “përdorimit të kohës me mençuri për të rritur gatishmërinë mbrojtëse". Marrëveshja u nënshkrua në Riga të premten më 19 janar dhe synimi i saj do të jetë "të pengojë dhe, nëse është e nevojshme, të mbrohet nga një kërcënim ushtarak".

Në rast lufte me Rusinë, tre republikat baltike do të gjendeshin në vijën e frontit si në lindje ashtu edhe në jugperëndim duke pasur parasysh praninë e enklavës së Kaliningradit. Sipas një raporti të ushtrisë gjermane, Lituania mund të jetë e para që do të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt, sepse sulmet e Putinit do të përqendroheshin në korridorin Suwalki, brezi i tokës që lidh Kaliningradin me Bjellorusinë.

Kërcënimet e Rusisë

Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Moska ka adoptuar retorikë armiqësore ndaj shteteve baltike, veçanërisht në lidhje me respektimin e të drejtave të pakicave ruse në të tre vendet. Në shtator 2023, qeveria e Rigës vendosi t'u kërkojë qytetarëve të Federatës dhe Bjellorusëve të paraqesin një certifikatë të njohjes së gjuhës letoneze. Në dhjetor, ajo njoftoi dëbimin e 1200 personave që dështuan në test.

Presidenti Vladimir Putin e quajti këtë veprim "një kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë" dhe udhëzoi qeverinë e tij të hartojë propozime për "të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve jashtë vendit dhe të marrë masa në rast dëbimi të paligjshëm deri më 1 korrik". Një lëvizje, e cila sipas Institutit për Studimin e Luftës, është dëshmi e "qëllimeve agresive të carit ndaj Baltikut". Instituti britanik i mendimit theksoi gjithashtu faktin se "Putini ka intensifikuar përpjekjet e kahershme të Kremlinit për të krijuar një bazë informacioni për përshkallëzimin e ardhshëm kundër Baltikut, si pjesë e përpjekjeve për të dobësuar NATO-n."

Lufta hibride

Hipoteza, pra, është se udhëheqësi i Kremlinit mund të përdorë qytetarët rusë në tre republikat si armë në një luftë hibride për të cilën Moska tashmë po përgatitet. Më 27 dhjetor, autoritetet polake regjistruan ndërprerje të rënda në rrjetin GPS, të cilat u përhapën edhe në Finlandë, Suedi dhe Estoni në muajin pasardhës. Më 18 janar, sistemi i gjurmimit u godit nga një ndërprerje totale në rajonet qendrore dhe veriore të kontrolluara nga Varshava.

Sipas disa analistëve, keqfunksionimet mund të jenë punë e rusëve, një përpjekje për të mbrojtur Kaliningradin nga sulmet e mundshme me dron ukrainas. Kjo është një hipotezë e shpërndarë në shumë kanale Telgram, ku lexojmë se " lufta elektronike ruse që vjen nga Kaliningrad po shkakton ndërprerje masive në GPS që kanë prekur gjysmën e Polonisë dhe korridorin Suwalki", pikërisht atë zonë që do të ishte në qendër të një lufte mes Moskës dhe NATO-s.

Qëllimi kryesor

“Nuk ka asnjë shenjë tani që një sulm rus kundër vendeve baltike është i pashmangshëm ose i mundshëm”, tha ISW, duke shtuar se Putini mund të jetë duke krijuar kushtet për veprimet e ardhshme agresive të Rusisë jashtë vendit, nën maskën e mbrojtjes së "bashkatdhetarëve". Putin kërcënoi Finlandën në mesin e dhjetorit 2023 dhe përsëriti deklaratat që demonstronin dëshirën e tij për të arritur ndryshime në NATO që do të shpërbënin Aleancën.

Putini pushtoi Ukrainën në vitin 2022 jo për të mbrojtur Rusinë nga kërcënimet e NATO-s, por për të dobësuar dhe shkatërruar përfundimisht NATO-n, një qëllim që ai vazhdon ta ndjekë, raportoi më parë ISW.Kremlini dhe aktorët e lidhur me Kremlinin kanë promovuar kohët e fundit operacione informacioni dhe kanë kryer taktika hibride të luftës që synojnë destabilizimin e NATO-s dhe tani mund të vendosin kushte informacioni për veprime të mundshme agresive të ardhshme ruse kundër vendeve të NATO-s dhe fqinjëve të tyre, përfundoi ISW.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat