Shërbimet polake të sigurisë kanë shkatërruar një grup rusësh dhe bjellorusë që u përpoqën të depërtonin në institucione të tjera përmes ndërhyrjeve kibernetike në sistemet e Agjencisë Polake Anti-Doping dhe të merrnin të dhëna të ndjeshme që do të përdoreshin nga shërbimet e inteligjencës ruse dhe bjelloruse për të shantazhuar polakët dhe institucionet.
Lajmi është bërë i ditur sot nga zëvendëskryeministri polak për Digjitalizim Krzysztof Gawkowski.
“Qëllimi i tyre për futjen dhe marrjen e të dhënave dhe më pas shantazhimin e tyre u parandalua. Ato grupe synonin të paralizojnë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht Poloninë”, tha ai për mediat polake.
Përveç institucioneve shtetërore, në shënjestër ishin edhe qeveritë vendore dhe kompani polake nga sektori i mbrojtjes dhe sigurisë.
Në thyerjen e këtij rrjeti sabotatorësh, siç i quajti Gawkowski, bashkëpunuan Shërbimi Informativ Ushtarak, Agjencia civile kundërzbuluese për Sigurinë e Brendshme dhe rrjeti akademik për monitorimin e internetit dhe hapësirës kibernetike NASK.
“Shërbimet sekrete bjelloruse dhe ruse kishin një qëllim të qartë për të marrë informacion dhe për ta përdorur atë për të shantazhuar individë dhe institucione të ndryshme dhe në këtë mënyrë të zhvillojnë një luftë kibernetike. Prej muajsh kemi vërejtur rritje të aktivitetit kriminal në hapësirën kibernetike”, tha Gawkowski.
Në gjashtë muajt e parë 2024 janë raportuar mbi 400 mijë sulme kibernetike dhe shërbimet kanë ndërhyrë rreth 100 mijë herë.