Chelsea falënderon Hazard dhe arkëton një shifër kolosale, por a e zëvendëson dot?

Futboll

Chelsea falënderon Hazard dhe arkëton një shifër kolosale, por a e zëvendëson dot?

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 00:51

Real Madridi ia ka dalë mbanë, ashtu si pritej, që të blinte Eden Hazard, i cili ka realizuar ëndrrën e tij. Një biznes fantastik në aspektin financiar për Chelsean, sepse Hazard niste vitin e fundit të kontratës dhe nëse nuk e shiste këtë verë, e humbiste falas verën e ardhshme.

Më shumë se 150 milionë sterlina mund të hyjnë në arkën e Chelseat, nëse realizohen edhe disa bonuse, ndërsa Hazard ka firmosur kontratë 5-vjeçare dhe do të prezantohet në 13 qershor.

Natyrisht, shifra e çmendur e shpenzuar nga Reali (e dyta më e madhe në historinë e klubit) duket si një triumf i Chelseat dhe e drejtores Marina Granovskaia, e cila ka përshëndetur mesfushorin ofensiv: "Kujtimet që ai lë pas nuk do të zbehen. Ai zbaviti tifozët dhe dha kontribut të madh në fitimin e trofeve, ndaj e falënderojmë ngrohtësisht. Ka qenë një profesionist model në kohën e tij te Chelsea, një person i mrekullueshëm për të punuar dhe për ta pasur në grup.

"Edhe pse me keqardhje, i themi mirupafshim Hazardit dhe ia bëmë absolutisht të qartë që dëshironim që të qëndronte, por e respektojmë vendimin e tij për të nisur një sfidë të re në një vend të ri, duke realizuar ëndrrën e fëmijërisë për të luajtur për Realin".

Tashmë Chelsea duhet të gjejë një zëvendës dhe nuk do të jetë një mision i lehtë, përtej milionave të fituara nga shitja e tij. Belgu shënoi 110 gola në 352 ndeshje për Chelsean, që prej transefrimit nga Lille në 2012, ndërsa fitoi kampionatin dhe Premier League dy herë, përveçse shënoi 2 gola në finalen e Europa League javën e shkuar. Në 4 sezone Hazard u shpall Lojtari i Vitit për Chelsean dhe ishte gjithnjë në listën e lojtarëve më të mirë në Angli.

Nuk duhet harruar se Chelsea e ka të bllokuar merkaton nga FIFA, por pret një përgjigje nga CAS dhe shpreson të jetë i lirë të operojë në merkato këtë verë. Ndërkaq, amerikano Pulisic është blerë që në janar nga Dortmundi, për t'i paraprirë dënimit të mundshëm, ndaj deri diku është gjetur një alternativë e mirë për Hazard.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat