Mesazhi i Agim Ademit

Futboll

Mesazhi i Agim Ademit

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 12:13
Mesazhi i Agim Ademit

Votimi i amendamentit 5 të Ligjit për Tatimin në të Ardhura në Korporata nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili mundëson harmonizimin dhe zbatimin në praktikë të Ligjit për Sponsorizim, është njëri prej lajmeve më të mira që ka marrë sporti tash e shumë vjet.

Vendimi i marrë, sot, nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i jep një shtytje të madhe zhvillimit të sportit, me theks të veçantë futbollit, i cili është sporti me shtrirjen më të gjerë dhe më i popullarizuari në vendin tonë.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit, falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit që morën pjesë në seancën e sotme dhe i dhanë përkrahje këtij amendamenti, me çka iu hap rruga zhvillimit të hovshëm të sportit në vendin tonë.

Jam i bindur se tani e tutje njerëzit e biznesit do të joshen edhe më shumë për të qenë afër sportit, kurse ata që ishin deri më sot do t’i rrisin investimet e tyre në klube.

Për më shumë se dy dekada biznesmenë e njerëz të vullnetit të mirë nuk kursyen as metalikun e fundit për ta mbajtur gjallë sportin, për çka gjithmonë do t’u jemi mirënjohës për mbështetjen dhe sakrificën e tyre financiare.

Në këtë ditë të veçantë uroj të gjitha federatat, klubet dhe sportistët për harmonizimin e këtyre dy ligjeve dhe uroj të na prijë e mbara drejt sukseseve tjera në arenat sportive.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi ta përfaqësojmë atdheun tonë!, shkruan Agim Ademi, president i FFK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat