Demo nuk ikën nga Luftëtari

Futboll

Demo nuk ikën nga Luftëtari

Më: 30 janar 2020 Në ora: 15:13
Demo nuk ikën nga Luftëtari

Aurel Demo do të vijojë të qëndrojë te Luftëtari. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve e detyron Luftëtarin t’i shlyejë futbollistit pagat e prapambetura, por nuk e ka nxjerrë këtë të fundit si lojtar të lire. Në këtë mënyrë, kapiteni i sapoemëruar, pas largimit të Rapos, do të vijojë të mbajë në krah shiritin te skuadra gjirokastrite deri në mbyllje të sezonit.

Një fitore e vogël për klubin, sepse 23-vjeçari është ndër të vetmit që ka pak më shumë se të tjerët përvojë në Kategorinë Superiore. Djaloshi nga Kuçova është aktivizuar në 49 ndeshje në karrierë në shkallën më të lartë të futbollit shqiptar, madje duke gjetur rrjetën në një sfidë të fituar 2-3 ndaj Skënderbeut në Korçë, në dhjetor të 2018-ës.

Në këtë sezon ai ka qenë titullar i padiskutueshëm, edhe pse në disa raste është penguar nga dëmtimet.

Demo ditët e fundit u përmend në listën e dëshirave të Kukësit, madje u përfol edhe për një akord mes klubit blu dhe lojtarit, gjithsesi tashmë gjithçka ka përfunduar dhe mbrojtësi, i cili në jo pak raste është aktivizuar edhe në pozicione të tjera, do të vijojë të jetë pjesë e Luftëtarit, në një kohë që klubi shpreson ende në zhbllokimin e merkatos, kur ka mbetur fare pak nga  afati i fundit të shit-blerjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat