Munishi: Kjo ishte arsyeja pse isha kundër rinisjes së kampionatit - Bota Sot
Munishi: Kjo ishte arsyeja pse isha kundër rinisjes së kampionatit

Futboll

Munishi: Kjo ishte arsyeja pse isha kundër rinisjes së kampionatit

Më: 24 maj 2020 Në ora: 23:41
Ismet Munishi

Trajneri i FC Ballkanit, Ismet Munishi, ka folur rreth rikthimit të futbollit në Kosovë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe testimeve për koronavirus që po u bëhen futbollistëve.

Ministria e Shëndetësisë dha dritën e gjelbër që të rikthehet futbolli në Kosovë, paraprakisht edhe stërvitja në grup – ndërsa tashmë ka filluar edhe testimi i futbollistëve dhe pjesëtarëve të klubeve.

Rreth këtyre zhvillimeve, ndër më të zëshmit ka qenë Ismet Munishi, që ishte kundër rinisjes së Superligës.

“Tash të paktën e dimë që nuk kemi lojtarë të infektuar dhe puna është më e qetë”, deklaroi Munishi në RTV Dukagjini.



“Kam qenë kundër asaj siç ka qenë në fillim, të fillohet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Unë kështu e kam kuptuar të paktën”.

“Kam qenë kundër sepse kam pasur më shumë arsye për të mos rifilluar. Anët pozitive tani janë se ne e bëjmë punën që e bëjmë më së miri, dhe disponimin personal e kemi më të mirë”, theksoi Munishi.

“Ne kemi mundur të vijmë në një situatë që e gjithë liga të infektohet, sepse është lojë e kontaktit. Më është dukur jashtëzakonisht e çuditshme. Nuk e di opinioni se çfarë do të thotë të luajmë me orar kaq të ngjeshur. Ne nuk kemi kushte të përballojmë këtë orar, nuk kemi kushte të rigjenerimit”, shtoi ai.

“Për këtë punë kam qenë më së shumti kundër sepse nuk janë pyetur futbollistët, kurse ata janë akterët kryesorë. Mos të harrojmë se ata janë të rrezikuar të infektohen dhe të lëndohen”, theksoi Munishi.

Ai tha se tash është i lumtur me rifillimin e Superligës, përkundër se fillimisht ishte kundër kësaj ideje.

“Duke i bërë këto analiza, sigurisht që kam qenë kundër. Mirëpo tash më pëlqen që kemi filluar”, tha trajneri i Ballkanit.

Kujtojmë se Superliga e Kosovës do të zhvillohet më datat 7 qershor – 25 korrik, ndërsa fillimisht zhvillohen ndeshjet e kupës, më 2 e 3 qershor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat