Aeroplani ishte gati për Rashicën – ja pse dështoi

Futboll

Aeroplani ishte gati për Rashicën – ja pse dështoi

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 12:36
Aeroplani ishte gati për Rashicën – ja pse dështoi

Milot Rashica bëri gjithçka që mundi për t’u larguar nga Werder Bremen në ditën e fundit të afatit kalimtar të kësaj vere. Aq të mëdha ishin përpjekjet e sulmuesit të Kosovës saqë një aeroplan privat e priti atë tërë ditën e hënën në pistën e Aeroportit të Bremenit, për ta çuar në destinacionin e mundshëm në Angli në kohën e nevojshme.

Në drekë, kur gjërat u bënë serioze me Bayer Leverkusen, Rashica udhëtoi me makinë drejt Rhineland.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës ishte buzë largimit nga Werderi ishte, por marrëveshja dështoi pak para mbylljes së afatit kalimtar të verës në orën 18:00 në Gjermani.

Werderi e prishi marrëveshjen sepse nuk e pranoi ujdinë e Leverkusenit, i cili ishte i gatshëm vetëm ta huazojë kosovarin pa detyrim blerjeje.

Rashica nuk iu bashkua Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e tetorit, kundër Maqedonisë së Veriut në play-off për kualifikim në Euro 2020 dhe kundër Sllovenisë e Greqisë në Ligën e Kombeve.

Arsyet e mos ardhjes së tij në kampin dardan u cek lëndimi nga i cili është riaftësuar pasi kishte stërvitur tërë javën e kaluar.

Drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann, ka folur për dështimin e largimit të Rashicës nga klubi, duke e pranuar se kjo verë ka qenë e palumtur për 24-vjeçarin.

“Natyrisht se Miloti është i zhgënjyer. Por ai do të zbresë në fushë përsëri për ta përmirësuar gjendjen e vet”, tha Baumann.

“Kjo verë ishte me plot stres për Milotin. Ka pasur shumë bisedime për të, shumë klube ishin të interesuara për të. ai u shpërqendrua nga gjithë këto klube, nuk ishte përvojë e mirë për të”, theksoi ai.

Ai është zotuar se klubi, me të cilin Rashica ka kontratë deri në verën e vitit 2022, do ta mbështesë plotësisht kosovarin tani që është detyruar ta vazhdojë karrierën në Bremen.

Rashica së pari arriti marrëveshje me RB Leipzig në prill, por Werderi nuk e pranoi ofertën e rivalit gjerman për kosovarin, e cila thuhet të ishte më e vogël se çmimi i caktuar për Rashicën në vlerë prej 25 milionë eurove.

Ai ishte pranë kalimit edhe në Aston Villa, klubin e Premierligës që ishte i gatshëm ta paguante çmimin e kërkuar për të, por jo edhe t’ia plotësojë kosovarit kërkesat për pagë.

Werderi e uli çmimin e tij në 20 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe atëherë u lajmërua Leverkuseni, por pa shprehur gatishmëri ta blejë atë, duke kërkuar vetëm ta huazojë

Një verë e tmerrshme për yllin kosovar mbaron në tetor dhe atij do t’i duhet tani të qëndrojë në Bremen të paktën deri në janar, për të provuar përsëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat