Mehmeti: Në Laç, për fitore, do t’i përshtatemi kundërshtarit

Futboll

Mehmeti: Në Laç, për fitore, do t’i përshtatemi kundërshtarit

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 16:16
Dritan Mehmeti,

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, në prononcimin për ndeshjen me Laçin, që luhet të shtunën, në orën 13:30, e vlefshme për javën e 24-t të Superiores, theksoi:

“Laçi është një kundërshtar që e ka treguar me rezultate se po kalon një formë shumë të mirë. Kemi pasur edhe ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me të. E kemi vlerësuar Laçin dhe do të bëjmë maksimumin. Do të ndryshojmë filozofi, duke iu përshtatur kundërshtarit për të kërkuar pikë. Do të jetë e vështirë.

Mungesat: “Skuadra ka një grup të mirë. Kemi mungesën e Vilës, që ka pasur një rritje progresive dhe më vjen mirë. Por kemi lojtarë në grup që mund ta zëvendësojnë, mentaliteti jonë është që të bëjmë grupin. Kemi edhe problemin e Andonit, që ka pasur shqetësime, por edhe të Qefalisë. Stafi mjekësor po punon që këtij të fundit të mos i bëhet problem kronik, ndaj dhe do të jetë jashtë këtë ndeshje”.

Aspekti psikologjik: “Skuadra më pëlqen në aspektin psikologjik. Më pëlqen mënyra si ka reaguar në ndeshjet e fundit. Nuk kemi injektuar presion, por kemi kërkuar që të jepet maksimumi në ndeshjen e radhës. Duhet përqendrimi vetëm aty, sepse ky kampionat nuk të jep mundësi të mendosh shumë gjatë. Me një ose dy fitore ngrihesh lart, me një apo dy humbje shkon në zonën e kuqe.

Më vjen mirë që grupi e ka kuptuar se është çdo gjë e vështirë dhe nuk duhet të kalosh në eufori. Nuk ka shumë diferenca, të gjitha skuadrat nuk kanë stabilitet.

Gabime dhe oshilacione: “Kemi punuar shumë bashkërisht, kemi analizuar gjithçka me hollësi për mënyrën si i humbnim ndeshjet. Më shumë për gabime individuale. Kemi pasur oshilacione gjatë dy fazave të para, sidomos kur kemi qenë në avantazh.

Kemi rritur besimin te njëri-tjetri dhe kemi shkuar aty ku duhet për sa i përket lojës. Kemi pasur situata të mira edhe më parë, por jemi ndëshkuar, sepse nuk kemi menaxhuar mirë 90 minutat. Në ndeshjen e fundit reaguam mirë dhe kjo është meritë e lojtarëve.

Një barazim në Laç? Duhet të presim 90 minutat, të shohim si do të interpretohet nga skuadra kjo ndeshje. Do të hyjmë në fushë vetëm për fitore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat