Federata Angleze hap çështje për yllin brazilian

Futboll

Federata Angleze hap çështje për yllin brazilian

Më: 23 maj 2024 Në ora: 18:07
Paketa

Federata Angleze ja nisur procedimin disiplinor kundër futbollistit brazilian të Uest Hem, Lukas Paketa, duke vënë në dyshim një transferim të mundshëm të tij te Mançester Siti gjatë verës.

Braziliani, i cili kishte shkëlqyer në klubin anglez pas një eksperience jo edhe aq të lumtur te Milani, dyshohet për shkelje të rregulloreve të basteve, sidomos sa u përket disa kartonëve të verdhë që ai ka marrë gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Ka pasur lëvizje të çuditshme të koeficienteve të basteve dhe shumave që janë vënë për ndëshkimin e Paketa gjatë ndeshjeve të veçanta dhe në katër raste, është identifikuar edhe vendosja e këtyre shumave në vendlindjen e tij, në ishullin Paketa në bregdetin e Rio De Zhaneiros.

Ai sot reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke mohuar çdo akuzë të mundshme që është ngritur kundër tij. “Jam jashtëzakonisht i çuditur dhe i mërzitur që Federata Angleze ka vendosur që të hapë çështje disiplinore ndaj meje.

Për nëntë muaj unë kam bashkëpunuar në çdo hap me hetimin e tyre dhe u kam vënë në dispozicion të gjitha informacionet. Unë hedh poshtë çdo akuzë dhe do të luftoj për të pastruar emrin tim”, shkruante Paketa në postimin e tij.

Mançester Siti e shihte Paketa si një zëvendësim potencial të Bernardo Silvas nëse largohet gjatë verës, por me çështjen që është hapur tashmë kundër brazilianit, duket e vështirë që Pep Guardiola të japë dritën e gjelbër për futbollistin.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat