Premitë për europianin, Shqipëria i jep 8 mijë euro…

Futboll

Premitë për europianin, Shqipëria i jep 8 mijë euro…

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 10:49
Futbollistët e Shqipërisë

Edhe pse braktisi Kombëtaren, ka marrë shpërblim. Milot Rashica do të jetë pjesë e Kosovës, por Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë atij pjesën që i takon për ditët që ka qëndruar në grumbullim me kuqezinjtë në Austri. Është shpërndarë premi e premtuar nga qeveria për kuqezinjtë, ku jashtë saj nuk kanë mbetur as lojtarët që nuk ishin në Francë e madje as Rashica që tashmë është një “ish” kuqezi. Nga tetë mijë Euro ka marrë ai, Shala, Gjimshiti e Rrahmani, ndërkohë që pjesë e shpërblimeve është bërë edhe stafi. Siç mësohet, ata kanë marrë të njëjtin shpërblim si lojtarët që kanë qenë në Francë. Më 9 gusht,  “Panorama Sport”, publikoi një lajm në lidhje me premin e pashpërndarë nga qeveria për Kombëtaren. Pas pjesëmarrjes në Europian, u premtua një milion euro për kuqezinjtë, mirëpo Ministria e Financave nuk e kishte shpërndarë ende një fond të tillë. Burime të gazetës nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë bërë me dije se disa ditë pas këtij lajmi, në llogarinë e institucionit është bërë edhe kalimi i shumës. Qeveria shqiptare akordoi një fond prej një milion eurosh si shpërblim për kuqezinjtë, pas pjesëmarrjes në “Euro 2016”. Ishte vetë kreu i qeverisë, kryeministri Edi Rama që e akordoi diçka të tillë për Kombëtaren në një vendim nga Këshilli i Ministrave më 20 qershor. Pas këtij lajmi, ka ardhur edhe reagimi nga ministria përkatëse, e cila ka bërë menjëherë kalimin e fondit në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo shumë parash është shpërndarë për këdo që ka qenë pjesë e kuqezinjve në Austri edhe Francë. Edhe katër lojtarët që nuk u grumbulluan në “Francë 2016” kanë marrë një shpërblim. Për 23 lojtarët që ishin në Francë dhe stafin e kuqezinjve, shpërblimi ka qenë rreth 31 mijë euro, ndërsa për katër futbollistët Rrahmani, Shala, Rashica dhe Gjimshiti shpërblimi ka qenë 8 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat