Ramadani: Duhet të japim maksimumin që të fitojmë kundër Prishtinës

Futboll

Ramadani: Duhet të japim maksimumin që të fitojmë kundër Prishtinës

Nga: Kemajl Goca Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 19:50
Ramadani: Duhet të japim maksimumin që të fitojmë kundër Prishtinës

I madh dhe i vogël me kërshëri e presin ndeshjen e mbetur të javës së 10-të, njëherësh kryendeshjen e stinorit vjeshtor në elitën e futbollit të Kosovës, mes Feronikelit nga Drenasi dhe Prishtinës. Tifozët janë në drithërimat e kryendeshjes. Përballen mes vete dy skuadra që deri me tash kanë treguar formën më të mirë. Diferenca me pikë është shumë e ngushtë mes liderit Feronikelit dhe të Prishtinës. Feronikeli prinë me 32 pikë ose ka 10 fitore, 2 barazime e 1 humbje, kurse Prishtina mban pozitën e dytë me 30 pikë apo me 9 fitore, 3 barazime e 1 humbje. A do të mbetet Feronikeli edhe më tutje lider apo Prishtina do të marr kreun?

Gjithçka do të shihet pas 90 minutave në sfidën e nesërme që luhet në orën 13.30 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku pritet të jetë i stërmbushur me dashamirët e lojës më të popullarizuar në botë. Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ka folur për atmosferën në prag të derbit të madh.  Ai shpreson që të vazhdojnë me serinë e rezultateve pozitive. “Atmosfera është shumë e mirë dhe ka qenë gjithnjë e mirë.

Jemi mirë, 10 ndeshjet e fundit kemi 1 humbje dhe 9 fitore, që është një ecuri pozitive. Shpresojmë që do të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në ndeshjen me Prishtinën. Ne jemi vendas dhe patjetër që duhet të japim maksimumin që të fitojmë dhe do të jemi të kënaqur me fitore. Na mungon Morina i cili ka katër kartona të verdhë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Ramadani. Në taborin e Prishtinës është atmosferë për fitore. “Prishtina përveç Mankendës nuk ka asnjë mungesë tjetër. Futbollistët të motivuar maksimalisht edhe pse e konsiderojnë veç ndeshje të radhës”, bëhet e ditur nga FC Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat