Bayerni në krizë - Bota Sot
Bayerni në krizë

Futboll

Bayerni në krizë

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 15:49
Bayerni në krizë

Tek Bayerni i Munihut, kriza është e thellë. Në kampionat ka marrë vetëm 2 pikë në tre javët e fundit, duke u distancuar me 9 pikë nga Borussia Dortmund, që gjendet në vendin e parë. Fajtori kryesor cilësohet tranjeri Niko Kovac, që duhet thënë se kurrë nuk e ka pasur kontrollin në dhomat e zhveshjes. Madje pak kohë më parë, James Rodriguez, një nga të zhgënjyerit e shumtë në skuadër, pati thënë se “këtu nuk jemi tek Eintrachti i Frankfurtit”. Kolumbiani ju referua ekipit të fundit që drejtoi tekniku kroat, përpara se të zbarkonte tek klubi më i suksesshëm në Gjermani. Gjithsesi, edhe pas barazimit 3-3 kundër Düsseldorfit, presidenti Uli Höness bëri të qartë se Kovac do të jetë tranjer i bavarezëve deri të martën, kur do të luhet sfida për Champions kundër Benficas. Në rast se do të ketë përsëri një rezultat negativ, gjërat mund të ndryshojnë menjëherë gjatë javës.

Presidenti i Bayern tha gjithashtu se do të merret edhe mendimi i lojtarëve për këtë situatë, të cilët vështirë se do të rreshtohen në mbrojtjen e tranjerit të tyre. Në konferencën për shtyp pas sfidës të së shtunës, Kovac provoi të justifikonte rezultatet e fundit të ekipit të tij. Ai deklaroi se golat u pësuan për shkak të gabimeve individuale, që nuk mund të evitohen nga asnjë tranjer. Gjithsesi, Düsseldorf kishte shënuar vetëm 2 gola në transfertë gjatë gjithë sezonit, përpara se Lukebakio të tundte tre herë rrjetën e Neuer në barazimin zhgënjyes. Tek Bayern shumë gjëra nuk shkojnë siç duhet, prandaj është e nevojshme të ndryshohet diçka, të gjehet një zgjidhje. Përndryshe, situata mund të bëhet akoma më e rëndë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...