Pacientët e Kamenicës në hall të madh, shërbimet po i marrin në një objekt të vjetër

Gjilani

Pacientët e Kamenicës në hall të madh, shërbimet po i marrin në një objekt të vjetër

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 12:43
Qendëra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë

Objekti njëkatësh që është ndërtuar dhe fuksionalizuar gjashtëdhjetë vite më parë, po shërben si Qendër Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë. Hapësira e saj është aq e vogël, sa në një dhomë, shtretërit për pacient janë ngjitur njëri me tjetrin.

Përveç kësaj, lagështia dhe myku ka krijuar erëra të pakëndshme, e veçmas në masë të madhe ka dëmtuar edhe muret e saj. Kjo situatë paraqet shqetësim dhe rrezik për shëndetin e pacientëve dhe personelit të cilët duhet të përballën çdo ditë me këtë problematik.

Njazi Kastrati, banor i Kamenicës, i cili njëkohësisht është edhe pacient i kësaj qendre familjare, ka thënë për kp, se tash e një kohë po përballen me kushte jo të mira, për shkak siç thotë ai, objektit të vjetruar, hapësirës së vogël dhe mungesës së disa barnave esenciale.

Sipas tij, është një periudhë e gjatë që objekti i ri nuk është rinovuar, ndërsa shërbimet që po bëhen në objektin e vjetër nuk i plotësojnë kushtet elementare.

Kastrati: Objekti i vjetri nuk i plotëson kushtet

“Objekti i vjetri nuk i plotëson kushtet… kushtet janë minimale shumë. Mirëpo, punimet janë duke i kryer këta, nuk e di çfarë afati kohës kanë pasur me i kry, është një kohë e gjatë që janë duke punuar këtu dhe nuk e di kur do të përfundojnë…hapësira është e vogël për banorët që i ka Kamenica, është objekt i vogël, nuk i plotëson kushtet”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, pacienti tjetër Sali Isufi, është shprehur se hapësira e vogël e objektit po bënë që të kenë probleme në marrjen e infuzioneve.

Isufi: Spitali më i vogël

 “Është pak popullata ngarkuar, spitali më i vogël… është pak e ngarkuar për infuzionet e këto për pacienta nuk po kanë hapësirë, nuk po ka vende të lira”, tha Isufi.

Drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Faredin Kryeziu, ka thënë se rrethanat kanë bërë që të mos kenë zgjidhje tjera, përveç këtij objekti.

Kryeziu insiston se brenda kësaj hapësire janë munduar që të zgjerojnë shërbimet, ndërsa theksoi se objekti i ri është ka fundi i finalizimit.

Kryeziu: Kushtet sa i plotëson vetvetiu tregon hapësira

“Ndoshta kanë të drejtë, rrethanat na kanë kushtëzuar, zgjidhje tjetër nuk kemi pasur është dashur të adaptohemi në këtë objektin, siç e quajmë maternitetin, apo ‘lindore’. Jemi munduar brenda hapësirës dhe brenda kushteve që i ofron ky objekt të zgjerojmë shërbimin dhe përshtatim shërbimin. Unë e di që ndoshta shërbimet nuk janë në nivelin që ata i presin…kushtet sa i plotëson vetvetiu tregon hapësira, që në realitet nuk i plotëson nevojshëm…mendojmë që është fundi i finalizimit, ndoshta me një vonesë katër- pesë ditore do të realizohet fundi i projektit”, ka thënë Kryeziu.

I pari i shëndetësisë në komunën e Kamenicës, Dritan Maliqi, është shprehur se gjendja në objektin aktual ku kryhen shërbimet është jo e kënaqshme por e përballueshme.

Sipas tij, duhet të ketë pak sakrificë si për pacientët, ashtu  dhe për personelin deri sa të rinovohet objekti i ri.

Maliqi: Ai objekt ka qenë fare i shfrytëzuar

“Pak sakrificë, një muaj është e përballueshme për pacientët, personelin, as për personelin nuk është punë e lehtë me i kry shërbimet në kushte jo të mira…ai objekt ka qenë fare i shfrytëzuar, ose pak i shfrytëzuar, ne jemi munduar që me mundësitë qe kemi pasur me riaktivizu për arsye të kryhen shërbimet te qytetarët…është gjendja pak jo e kënaqshëm, por e përballueshme, jo në atë fazë kritike sa thuhet” është shprehur, Maliqi.

Objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është duke u rinovuar, në kuadër të investimeve kapitale, komunale. Vlera e këtij projekti gjithsesi është rreth gjashtëdhjetë mijë euro./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat