Një 16 vjeçare ka ndërruar jetë në fshatin Capar të Gjilanit, pas kontaktit me rrymën.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini, ka konfirmuar incidentin tragjik, derisa ka bërë të ditur se trupi i pajetë i 16 vjeçares është dërguar për obduksion.
“Në fshatin Capar, komuna e Gjilanit, mbrëmë rreth orës 21:00, dyshohet se një vajzë e moshës 16 vjeçare, ka humbur jetën. Prokurori i rastit, ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, për kryrjen e autopsisë dhe rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, mësohetse 16 vjeçarja e ndjerë është me inicialet M.I (Emër i njohur për redaksinë), dhe se varrimi i të njëjtës është bërë sot.
Po ashtu, mësohet se ajo kishte hyrë në banjo për të bërë dush kur rryma e kishte goditur, pasi bojleri ishte i ndezur.
Ajo ishte vërejtur nga motra e saj, por që kishte qenë pa shenja jete kur ishte dërguar për ndihmë mjekësore.
Lajmin për vdekjen e 16 vjeçares e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Gjilanit, duke mos dhënë më shumë detaje për rastin.
Ndërkohë, raportohet se familjarët e kanë nisur vajzën për në spital, ku janë takuar rrugës me ekipin e ambulancës që i kishin telefonuar më parë.
Pas ndihmës që është përpjekur t’i ofrojë, ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e 16 vjeçares.