Nuk kishte vend në Psikiatri, e dyshuara u desht të priste disa ditë në paraburgim

Gjilani

Nuk kishte vend në Psikiatri, e dyshuara u desht të priste disa ditë në paraburgim

Më: 24 janar 2020 Në ora: 09:40
Ilustrim

Një e dyshuar me probleme psikike është detyruar që të qëndroj disa ditë në Qendrën e Paraburgimit për Femra në Lipjan pasi që nuk kishte shtretër të lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Ajo ishte arrestuar në Gjilan me 8 janar, por për shkak të mungesës të shtretërve në atë institucion dhe në mungesë të hapësirës, Gjykata është detyruar që t’i vendosin personat me të meta mentale në qendrat e paraburgimit ku duhet të qëndrojnë me të burgosurit e tjerë.

Mirëpo, tani e dyshuara gjendet në institucionin përkatës.

Ajo është shtrirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, pas qëndrimit disa ditor në paraburgim në Lipjan.

Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Gjilan, për io, e ka konfirmuar këtë lajm.

Ajo ka thënë se e dyshuara gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit.

“Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarës brenda afatit ligjor në Gjykatën kompetente në Gjilan, ka paraqitur, propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, në Prishtinë, i cili propozim është aprovuar dhe e njëjta gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat