E infektuara nga Gjilani s’kishe kontakte me familjarët – është në gjendje stabile

Gjilani

E infektuara nga Gjilani s’kishe kontakte me familjarët – është në gjendje stabile

Më: 4 prill 2020 Në ora: 21:31
Foto ilustrim

Komuna e Gjilanit ka njoftuar për situatën e fundit atje, pas konfirmimit të 16 rasteve me koronavirus në këtë qytet.

Me anë të një komunikate për media, nga komuna e Gjilanit kanë thënë se situata aktuale është nën kontroll, duke falënderuar kështu edhe qytetarët për kujdesin e tyre.

“Komuna e Gjilanit në ditën e 22-të të përballjes me pandeminë Covid-19, pas konsultave në Qendrën Operative Emergjente ka vlerësuar se situata është nën kontrollë falë edhe bashkëpunimit të madh qytetarë dhe kujdestarisë strikte që janë duke dhënë të gjitha institucionet e shtëtit që nga mjekët, zjarrëfikësit, Policia e Shtetit, ekipit të gjerë ndër-institucional, në kuadër të QOE”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se me datën 3 prill 2020, një qytetare e Gjilanit, me inicialet A.K., e cila ka ardhur nga Zvicra, është dërguar fillimisht në karantinë në qendrën e studentëve në Prishtinë e më vonë pasi ka dalur pozitiv në testin për Covid-19, është dërguar në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe gjendja e saj, bazuar në raportet e mjekëve të kësaj klinike, është stabile por nën monitorim të vazhdueshëm.

“Komuna e Gjilanit është në kontakt të vazhdueshëm me pacienten që po vazhdon të qëndroj në QKUK dhe familjen e saj në Gjilan, për të qenë në mbështetjen maksimale të tyre deri në tejkalimin e plotë të koronavirusit nga anëtarja e kësaj familje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se e prekura nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e saj në Gjilan.

Numri i të prekurve në Gjilan me Covid-19 arrin në 16 raste, 3 prej të cilëve tashmë janë të shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat