​Gjilani po punon për masa lehtësuese për sektorin e ekonomisë pas 4 majit - Bota Sot
​Gjilani po punon për masa lehtësuese për sektorin e ekonomisë pas 4 majit

Gjilani

​Gjilani po punon për masa lehtësuese për sektorin e ekonomisë pas 4 majit

Më: 2 maj 2020 Në ora: 14:15
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën me gazetarë, ka potencuar angazhimin e madh që është duke u bërë në të gjitha institucionet që të mos ketw raste të reja me Covid-19 dhe njëkohësisht ka bërë të ditur se është duke punuar ekipi komunal për krijimin e lehtësirave dhe fillimin e punës në disa sektorë ekonomik në Gjilan.

“Edhe në ditën e 51 të përballjes me Covid-19, gjendja është e qetë dhe nën kontroll deri në këto momente. Gjilani ka testuar mbi 600 teste këto ditët e fundit dhe të gjitha janë negative. Edhe më tutje kemi numrin total të të prekurve në 51 raste, 26 janë shëruar plotësisht, tre janë hospitalizuar në QKUK, 20 persona janë në vetizolim dhe fatkeqësisht dy raste janë të vdekura”, ka pohuar kryetari Haziri.

Shqetësim tjetër në këtë faze, sipas kryetarit Haziri, kanë qenë zjarret në male, që janë inicuar nga individë të pandërgjegjshëm dhe është kërkuar këtu që përpos zjarrfikësve të japin mbështetje edhe organet e rendit dhe të drejtësisë në ruajtjen e pasurisë së përbashkët.

Në skemën e mbështetjes me pako sociale, kryetari ka njoftuar se janë ndihmuar mbi tre mijë familje dhe mbështetja është realizuar në faza të ndryshme.

“Falë mbështetjes së vazhdueshme të donatorëve, bizneseve, bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë, janë bashkuar me ne për të ndihmuar dhe kemi arritur ta menaxhojmë situatën edhe në rrafshin social. Pakot ushqimore, higjienike e asistencës me barna, kemi arritur që numri të shkojë në mbi tre mijë familje dhe sofra e askujt në këtë fazë nuk ka qenë pa bukë”, ka thënë kryetari Haziri.

Pakon e masave lehtësuese të Qeverisë së Kosovës, kryetari Haziri ka thënë se është duke u trajtuar nga ekipi komunal dhe të hënën do të dalim me detaje.

“Masat do të vazhdojnë edhe më tutje. Lehtësira do të ketë në sektorin e ekonomisë. Hapja do të jetë graduale dhe në bazë të vlerësimeve dhe me koordinim të plotë ndër-institucional. Kontrolli i lëvizjes do të vazhdoj edhe më tutje, për përdorimin e masave mbrojtëse, respektimin e distancës, mos daljen pa nevojë dhe masave të tjera, mirëpo detajisht do të njoftohen të gjithë qytetarët deri të hënën”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka njoftuar se së bashku me qeverinë janë duke punuar që në sektorin e hotelerisë, përpos angazhimit për mospërhapje të virusit, do të punohet strikt edhe në ndalimin e pirjes së duhanit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat