​788 gjilanas mbeten pa punë për shkak të pandemisë - Bota Sot
​788 gjilanas mbeten pa punë për shkak të pandemisë

Gjilani

​788 gjilanas mbeten pa punë për shkak të pandemisë

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 16:44
Lutfi Haziri

Rreth 800 vende të punës janë humbur si shkak i pandemisë në komunën e Gjilanit. E, 23 për qind ka rënie të numrit të punëtorëve në bizneset e mëdha e të mesme, ku bizneset e vogla janë goditur më së shumti gjatë kësaj kohe. Kështu thuhet në raportin e dëmeve të shkaktuara në sektorin e ekonomisë të komunës së Gjilanit. Këto humbje përfshijnë periudhën e përballjes me pandeminë globale Covid-19.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mars të këtij viti, për kufizimin lëvizjes së qytetarëve, ndërprerjen e procesit mësimor në shkolla dhe universitete, ndërprerjen e pjesës dërmuese të aktiviteteve të bizneseve kanë stagnuar zhvillimin ekonomik në komunën e Gjilanit.

Tahiri: Pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës

“Pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës. Kemi një rënie prej 23% të numrit të gjithmbarshëm të punëtorëve te kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme.. E njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. Ndërsa, bizneset individuale kanë shënuar rritje. 54 punëtorë kanë deklaruar se 46% e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100% dhe vetëm 1% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njëjtë”, ka theksuar ajo.

Në këtë hulumtim janë anketuar 304 biznese, ku Tahiri ka njoftuar se 69% e bizneseve pjesëmarrëse në hulumtim zhvillojnë afarizëm në qytet, 27% në fshatra dhe 4% prej tyre kanë degë të tyre jashtë territorit të Komunës. Bizneset e anketuara sipas llojit janë 42 % biznese individuale, 38 % shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, 19 % fermerë ndërsa 1 % shoqëri aksionare.

Sipas saj, shumica dërmuese e bizneseve (80%) kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar në rënien e kërkesës për shërbime/produkte dhe vetëm 2% e biznese kanë deklaruar ndikim të ulët. 66% të bizneseve kanë shënuar mungesë të likuiditet, ndërsa 48% kanë deklaruar për pengesa në furnizime gjatë pandemisë.

Tahiri: Pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla

“Hulumtimi gjen se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla. Vetëm 8% e bizneseve mendojnë se mund të përballojnë situatën me pandeminë. 84% e bizneseve kanë deklaruar se nuk mund ta përballojnë situatën me pandemi dhe periudha maksimale që biznesi mund të operoj me rezultat pozitiv ose pa humbje është 3 deri 6 muaj, ndërsa 16% mund të operojnë prej 3 deri në një vit. Shpresëdhënëse është fakti se vetëm 50% e bizneseve nuk do të pushojnë punëtorët nga puna”, ka shtuar Tahiri.

Sipas kryetarit të komunës, Lutfi Haziri shëndeti i ekonomisë në Gjilan është prioritet i lartë. Ai theksoi se gjetjet në këtë hulumtim janë të frikshme.

Haziri: Gjetjet në këtë hulumtim tregojnë një realitet jo të mirë dhe të frikshëm

“Ekonomia private është njëra nga fokuset që ne kemi hulumtuar dhe sot kemi këto gjetje që tregojnë realitetin jo të mirë dhe janë të frikshme nëse nuk ndërhyhet me masa për ta parandaluar rritjen e dëmeve në sektorin e ekonomisë, bujqësisë. Ndërsa, ndërmarrjet publike ne po vazhdojmë me operua me mbështetje, duke mos lejuar probleme sekondare. Sepse ne e kaluam një pjesë të konferencës me protestën e auto-transportuesve që unë i mbështes kërkesat e tyre, i mirëkuptoj. Mirëpo nuk mund të falimentojmë ndërmarrjen derisa nuk gjejmë mjete për t’i subvencionuar transportuesit”, ka shtuar Haziri.

Ndër të tjera, Haziri tha se ratifikimi i marrëveshjeve financiare, rishikimi i buxhetit në leximin e dytë dhe hapave që komuna do t’i ndërmarr janë masa që ndikojnë në rehabilitimin dhe ruajtjen e shëndetit ekonomik.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani tha se dëmi total i bujqve është mbi 130 mijë euro vetëm në atë sektor, ndërsa zhdëmtimi prej 25 për qind është një vlerë shumë e ulët që edhe mund ta shkatërrojë tërësisht këtë fushë bujqësore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat