PDK e Gjilanit, e bindur në “pastërtinë” e punës së ish-kryetarit Mustafa

Gjilani

PDK e Gjilanit, e bindur në “pastërtinë” e punës së ish-kryetarit Mustafa

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 15:26
Qemajl Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan është e befasuar me rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj ish-kryetarit të komunës dhe zyrtarëve tjerë komunalë, për të cilat beson që janë plotësisht të pabaza dhe të paqëndrueshme.

PDK e Gjilanit, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se “qytetarët e Gjilanit e njohin shumë mirë punën e pastër të bërë nga qeverisja e Qemajl Mustafës, ku me devotshmëri e profesionalizëm të zyrtarëve komunal, kanë arritur suksese të pamohueshme në realizimin e shumë projekteve në dobi të qytetarëve të Gjilanit”.

“Ne jemi plotësisht të bindur se qeverisja gjashtë vjeçare e PDK-së në Gjilan, në punën e saj ka respektuar të gjitha procedurat dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe përmes disa hetimeve tjera që janë bërë në të kaluarën nga Prokuroria dhe EULEX-i dhe asnjëherë deri më tani, nuk është gjetur ndonjë dëshmi për shkelje ligjore apo korrupsion”, thuhet në këtë reagim.

Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që pa ndikime politike të kryejë detyrën e tyre, duke ofruar edhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim institucional në mënyrë që sa më parë të sqarohen dhe të përfundojnë këto procese ligjore.

“Ne besojmë dhe jemi të bindur që drejtësia në fund ta thotë fjalën e vetë dhe të vërtetojë pastërtinë e punës së qeverisjes komunale e cila ishte udhëhequr me përgjegjësi nga PDK dhe ish-kryetari Mustafa”, përfundon ky reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat