A po e shkatërron KEDS-i shëndetin e qytetarëve? - Bota Sot
A po e shkatërron KEDS-i shëndetin e qytetarëve?

Gjilani

E hënë, 22 tetor 2018

A po e shkatërron KEDS-i shëndetin e qytetarëve?

Nga: Aziz Zuka Më: 15 maj 2018 Në ora: 14:59
Foto nga vendi ku është vendosur trafostacioni në ndërtesën banuese në Viti

Kompania turke e Distribuimit të Energjisë Elektrike KEDS po shpërfaq materializmin e saj si boshtin kryesor të funksionimit , kundrejt  dëmit të pariparueshëm ndaj shëndetit të qytetarëve të Kosovës.

Fakti se menaxhmenti i KEDS, nuk njeh asgjë më shumë se sa anën materiale është mos zhvendosja e trafove (stacioneve) elektrike që janë të vendosura në kohen e ish Jugosllavisë në ndërtesat kolektive dhe të cilat janë shumë të dëmshme për banorët që i ekspozohen për kohë të gjatë fushave elektromagnetike të tyre.

Këto trafo-stacione rreth 40 në numër në tërë Kosovën të vendosura kohë më parë nuk kanë asnjë izolim dhe për pasojë kanë rrezatim jo-jonizues dhe fushë elektromagnetike, e cila nga ekspert të Bashkimit Evropian të kësaj fushe është vlerësuar shumë e dëmshme për ata që për kohë të gjatë i ekspozohen këtij rrezatimi, dhe të cilat mund të çojnë në disa sëmundje vdekjeprurëse. Lidhur me këtë problem  qytetarët janë ankuar dhe kanë shpërfaq shqetësimet e tyre  ndaj kësaj kompanie  të cilët me kërkesat e tyre I janë drejtuar atyre për të zhvendosur këto trafastacione nga vendi ku janë vendos e ku paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve  por ma sukses.

Sipas ekspertëve evropianë viktimë e këtij rrezatimi mund të jenë banorët që jetojnë ngjitur me trafo-stacionet, si banesat mbi trafo-stacion dhe anash tij.

 Një rast konkret ku kompania turke KEDS sheh anën materiale më shumë se gjithçka tjetër, është në ndërtesën tek ish (NLB Banka) në rrugën "Adem Jashari" në qytetin e Vitisë, ku një banorë i saj prej vitit 1983, kur edhe i është ndarë një banesë që poshtë saj (në katin përdhes) pastaj ishte vendosur  trafo-stacioni me fuqi 630 KWA (kilowatt), ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore për të larguar këtë trafo-stacion nga kjo ndërtesë dhe që Gjykata Themelore dega në Viti, 3 herë me radhë ka marrë vendim për largimin e këtij trafo-stacioni nga kjo ndërtesë, por është Gjykata e Apelit në Prishtinë e cila sigurisht e ndikuar nga presioni i kësaj kompanie turke e rikthen në rigjykim këtë kontest pa asnjë arsyetim serioz, thotë ky banorë.

Deri tek padia gjyqësore ndaj kompanisë turke KEDS nga ky banorë ka ardhur si pasojë e vendimit të KEDS për ta zëvendësuar trafo-stacionin aktual prej 630 KWA (kilowatt) me një të ri prej 1000 KWA (kilowatt) pra të një madhësie  dyfish më të madhe , i cili sipas Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, është konsideruar absurd dhe që me rritjen e kapacitetit të Trafo-Stacionit kushtimisht do të rritej edhe rrezatimi.

Sipas ankuesit  përkatësisht paditësit , ky institucion me datë 03.10.2014 ka pezulluar vendimin e KEDS për rritjen e kapacitetit, duke urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve nga kompania turke KEDS dhe zhvendosjen e kësaj trafo nga kjo ndërtesë në një vend tjeter.

E në të gjithë këtë proces gjyqësorë janë bërë një ekspertizë dhe një super-ekspertizë me kërkesë të Gjykatës Themelore  dega në Viti. Ekspertiza është bërë nga Sead Kadiri, i cili kishte pretenduar se ka kualifikimin e nevojshëm dhe pajisjet profesionale për ta nxjerr një konkluzion të saktë, por që e gjithë kjo më vonë ka rezultuar si e rreme.

Se ekspertiza e tij nuk ka qenë profesionale dhe objektive, e vërteton fakti se konkluzioni është tejet kontradiktorë, pasi që në rezultatet e tij, ka vlerësuar se rrezatimi momental nuk është i dëmshëm, duke mos llogaritur kohen e gjatë të ekspozimit të njerëzve pra baanorëve të kësaj ndëërtese disa katëshe  dhe në të njëjtën kohë ka sugjeruar largimin e këtij trafo-stacioni nga kjo ndërtesë për shkak të rrezikshmërisë së rrezatimit.

Kurse super-ekspertiza e kryer nga një kompani e specializuar nga Shqipëria, e certifikuar nga Qeveria e Shqipërisë dhe e autorizuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimet dhe Siguria Bërthamore, ka bërë matjet dhe rezultatet e të cilave janë alarmante.

Ky institucion i drejtuar nga Prof. Dr. Partizan Malkaj, ka bërë këto konkludime:

a) Vlera e referencës për ekspozimet për një kohë të gjatë të publikut pranë fushave magnetike të prodhuara nga burime të valëve elektromagnetike duhet të jetë 5/f, ose 5/50Hz = 0.1 uT (mikro Tesla).

b) Vlerat e matura brenda banesës ku jeton ky banorë në pikat 1, 2, 3, 4 janë përkatësisht 50 uT, 48 uT dhe 45 uT. Po ashtu në zonën e quajtur recepsion, vlera e matur e rrezatimit është 45 uT. Siç shihet këto vlera janë disa herë më të larta.

Për hirë të objektivitetit dhe profesionalizmit ne kemi kontaaktuar me zyrtarëët e KEDS përfaqësia në Viti,por ata janë shprehur se nuk kanë të drejtë të prononcohën lidhur me këtë cështje. Ne kemi  provuar të kontaktoj me përfaqësues të kompanisë turke KEDS ne qender, por kontakti me ta ishte I pamundur.

Vendimi i tretë i Gjykatës Themelore në Viti është marr me datë 07.03.2018, ku theksohet:

Miratohet propozimi i paditësit - propozuesit nga Vitia për caktimin e masës siguruese si i bazuar.

Caktohet masa siguruese ndaj kundërshtarit të sigurimit KEDS në Prishtinë në trafon elektrike 630 KWA dhe detyrohet e paditura-kundërshtari i sigurimit ta zhvendos  trafon ku është vendosur në ndërtesën e banimit kati përdhes ndërtesa (NLB banka) në Viti, banesa e paditësit nr.3 , kati I, rruga “Adem Jashari” në Viti dhe e njëjta Trafo të zhvendoset në një vend tjetër adekuat ku nuk e pengon paditësin në të ardhmen.

Por edhe për herën e tretë supozohet se kompania turke KEDS ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Viti në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, dhe ky banorë dyshon se kompania turke sërish do të përdorë ndikimin e saj në këtë Gjykatë për të prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Viti. Por përkundër të gjithë vendimeve të ndikuara dhe të padrejta të Gjykatës së Apelit, ky banorë thotë se në asnjë rast nuk do të dekurajohet duke kërkuar të drejtën e tij edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test