Me ceremoni madhështore shënohet 65-vjetori i FHK-së

Hendboll

Me ceremoni madhështore shënohet 65-vjetori i FHK-së

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 18:38
Me ceremoni madhështore shënohet 65-vjetori i FHK-së

Me një ceremoni madhështore është shënuar të enjten 65-vjetori i themelimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ceremonia është mbajtur në Sheshin 21 në Prishtinë, ndërsa atë me pjesëmarrje e kanë nderuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe përfaqësues të federatave të hendbollit të vendeve të rajonit. Pjesëmarrës ishin edhe shumë njerëz të hendbollit, në mesin e tyre edhe veteranë që kanë dhënë shumë për hendbollin e Kosovës. Haradinaj dhe Gashi kanë premtuar rritje të përkrahjes financiare për FHK-në, ndërsa punën e federatës tonë e kanë vlerësuar lartë.  Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në fjalimin e tij është shprehur krenar për të arriturat e hendbollit gjatë dekadave.  Pjesa kryesore e ceremonisë ishte shfaqja e dokumentarit me të cilin u shënua 65-vjetori i FHK-së e po ashtu u paraqit puna e shumë brezave për hendbollin.

Dokumentari me regji të Orhan Kerkezit dhe skenar të Izet Gjinovcit e Orhan Kerkezit ishte emocional dhe gjithëpërfshirës, ndërsa nga të pranishmit u vlerësua shumë lartë. Në të u paraqitën periudhat nëpër të cilët ka kaluar hendbolli ynë, sukseset e vështirësitë dhe momentet më të lavdishme të historisë shumë të pasur të hendbollit. Dokumentari i përgatitur në mënyrë profesionale përcjelli te të pranishmit emocionet që sjell loja e hendbollit dhe zhvillimet rreth këtij sporti. Hendbolli është prej sporteve me traditë të madhe dhe që ka pasur suksese në periudhat e ndryshme. Në ceremoni ishin brezat e ndryshme, sidomos gjenerata e viteve të 60-ta, 70-ta e të 80-ta gjithsesi ishin të emocionuar, për faktin se kujtuan shumë gjëra të paharrueshme dhe suksese në rangjet e ndryshme. Hendbolli si shumë sporte tjera kaloi në periudha të vështira, që assesi nuk duhet harruar kohën e okupimin në vitet 1991-1999, kur zhvilluan garat në fusha të improvizuara, ku ishin të dëbuar nga palestrat sportive nga regjimi kriminal serbian.

Në një ceremoni me shumë emocione, folën protagonistë të shumtë, të kohërave të ndryshme dhe secili me krenarë se tjetri për punën që bënë.  Në fakt, u kujtuan edhe periudha kur Federata e Hendbollit e Kosovës u pranua në Federatën e Hendbollit Evropian pikërisht në vitin 2004 në Budapest të Hungarisë. Një dokumentar shumë emocionues, por edhe për mbamendje. Të pranishmit e përcollëm me një vëmendje të posaçëm rrugëtim e vështirë të hendbollit në epoka të ndryshme, por shumë të lavdishme.  Një dokumentar më shumë se dokumentar, ku edhe  gjeneratat e sotme, panë shumëçka për të kaluarën e vështirë e të lavdishme. Një rrugëtim 65-vjeçar dhe që dha emra e emra në periudha të ndryshme, secili më i veçantë se tjetri dhe secili më i merituar se tjetri për të arritura e deritanishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat