Kush e solli topin e parë të hendbollit në Kosovë?

Hendboll

Kush e solli topin e parë të hendbollit në Kosovë?

Nga: Kemajl Goca Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 10:47
Arsim Fehmiu

Prof. Arsim Fehmiu kujton periudhat e viteve të 50-ta, kur është luajtur hendbolli i madh. Prof. Fehmiu flet edhe për klubin e hendbollit “Normalisti” dhe kujton gjeneratën e suksesshme të asaj kohe.  Ai ka qenë anëtar i komisionit për pranimin e gjeneratës së parë të shkollës së mesme të fizkulturës (1956). “Kryetar ishte prof. Bardhyl Zajmi, Rada Zajmi, Daut Nimani, Arsim Fehmiu etj.

Në vitin 1957 emërohet arsimtar i edukatës fizike dhe përgatitja fizike në vitin shkollor 1957-1958, në të njëjtin vit shkollor kalon në shërbimin e shkollës normale në Prishtinë.  Klubi i hendbollit ‘Normalisti’ i themeluar në vitin shkollor 1953-54, nga arsimtari Xhavit Spahiu, i cili në vitin shkollor në vitin 1957-58, nga Prishtina kalon në shkollën normale të Shkupit.   Pas Xhavit Spahiut në shkollën normale në vitin shkollor 1957-58, si profesor i edukatës fizike ishte edhe trajner i klubit hendbollistik KH ‘Normalisti’. Gjatë këtij viti Normalisti ka korrë suksese në garat e organizuara, të shkollave të mesme të Kosovës: Gjimnazet, shkolla e mesme teknike, bujqësore dhe normalja etj. 

Në garat e të cilave janë organizuar në formë turneut, Normalisti ka korrë suksese më të mëdha ose më të mira”, kujton atëkohë prof. Arsim Fehmiu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Më tutje tregon se kush e pruri topin e parë të hendbollit: “Topin e parë të hendbollit në Kosovë e ka sjellë prof. Bardhyl Zajmi, i cili ka punuar si profesor në Prishtinë dhe në Mitrovicë.  Në vitin 1948 është organizuar revista e kulturës fizike të nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës. Prof. Bardhyl Zajmi ka sjellë për herë të parë topin e hendbollit në Kosovë e veçanërisht po e përmendim edhe Gjakovën. Ai ka organizuar një ndeshje të hendbollit të madh në Gjakovë me nxënësit e gjeneratës së parë (1946-49) dhe gjeneratës së dytë (1947-49). Ai ishte personalitet i cili ka organizuar edhe aktivitetet tjera në lojërat sportive, futboll, basketboll, volejboll natyrisht edhe hendboll të madh. 

Image

Në këmbë nga e majta, prof. Arsim Fehmiu, trajner i KH Normalisti nga shkolla normale e Prishtinës, lojtarët Xhafer Lila, Rexhep Qosja, Halil Alidemaj, Sokol Dauti, Ramadan Marmullaku, Ulur nga e majta: Aziz Koca; Danijoll Grezda, Shani Nagavci, Kamber Kabashi dhe Fitim Domi (ish humoristi i mirënjohur). (1957-58).

endbolli i madh është luajtur në qytetet e Kosovës: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë më vonë edhe qytetet tjera. Hendbolli i madh është luajtur në qytetet e përmendur nga viti 1948-1954. Nga viti 1953 fillon të organizohet loja e hendbollit të vogël në ish shtetin jugosllav, në të gjitha republikat dhe krahinat, në tetor të vitit 1953 në Beograd. Meqë në institutin shtetëror të fizkulturës - DIF, kanë studiuar studentët edhe nga Kosova. Studenti i parë është regjistruar në vitin shkollor 1946-47, në institutin e përmendur, ishte profesor Bardhyl Zajmi, i cili në vitin 1947 pas absolvimit të studimeve njëvjeçare vjen në Kosovë, ku fillon organizimin e edukatës fizike dhe sportit në Prishtinë, e në të gjitha qytetet e Kosovës. Ai e ka luajtur edhe hendbollin. Studenti i dytë i Kosovës i regjistruar në institutin shtetëror – DIF, është Daut Nimani në vitin 1949-50.  Edhe ky ishte sportist i gjithanshëm që e ka luajtur edhe hendbollin. Studenti i tretë i regjistruar në DIF ishte edhe Arsim Ibrahim Fehmiu, i cili ka qenë i gjithanshëm edhe ka luajtur hendbollin e madh dhe hendbollin e vogël. Në muajin tetor të vitit 1953 organizohet një seminar për arsimtarë të edukatës fizike dhe trajnerët e hendbollit.

Seminar është organizuar për fillimin e organizimit dhe të zhvillimit të hendbollit të vogël në mbarë ish Jugosllavinë. Pjesëmarrës në këtë seminar nga Kosova ishin: Prof. Bardhyl Zajmi dhe arsimtarët e edukatës fizike: Sadik Vraniqi, Xhavit Spahiu, Ferit Hisari, Vesel Kiseri dhe dy studentët e DIF-it, Daut Nimani, student i vitit i tretë dhe Arsim Fehmiu student i vitit të parë. Pas këtij seminari pjesëmarrësit e tij kanë filluar organizimin e zhvillimit të lojës së hendbollit të vogël. Bardhyl Zajmi i ka pri organizimit në tërë Kosovën, edhe pjesëmarrës tjerë të përmendur Prizren, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë etj. Duhet përmendur arsimtarin e edukatës fizike Xhavit Spahiu i cili e themeloi klubin e parë të hendbollit të vogël me emrin Normalistin të shkollës normale Prishtinë”. Kur është themeluar ‘Normalisti’ si klub i qytetit? “Në vitin 1957-58 themelohet ‘Normalisti’ si ekip i qytetit, Prishtinë, ekipi ka marrë pjesë në garat e organizuara në Kosovë dhe ka qenë anëtar i Ligës Republikane, pjesa Jug-Lindje e Serbisë. Klubi ka qenë dy herë kampion i Serbisë Jug-Lindore dhe pjesëmarrës në kualifikimet për Ligën e Parë qendrore të ish Jugosllavisë.

Turneu i parë është organizuar në Kosovës në muajin qershor të viti 1958 në Prishtinë. Pjesëmarrës Normalisti, Partizani i Beogradit, Zhelezniçari i Nishit dhe Slloga e Kralevës. Në vitin 1958-1959 përsëri ka qenë kampion i Ligës Jug-Lindore dhe ka marrë pjesë në turneun federativ për Ligën e Parë Qendrore, në muajin qershor në Novi Sad. Disa lojtarë të Normalistit pjesëmarrës në kualifikime kanë qenë profesorë dhe trajneri i Normalistit Arsim Fehmiu dhe Nazmi Kajtazi, lojtarët Danioll Grazda, Halil Alidema, Xhafer Lila, Murat Zhubi, Muharrem Kozmaqi, Sokol Dauti, Musa Abazaj, Kamber Kabashi dhe Arsim Fehmiu, etj.    Në vitin  1959-1960 organizohet Liga e Kosovës dhe vazhdojnë garat”, përfundoi prof.. Fehmiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat