Për Elmën është edicioni i fundit me Istogun!?

Hendboll

Për Elmën është edicioni i fundit me Istogun!?

Nga: Kemajl Goca Më: 23 janar 2019 Në ora: 15:36
Për Elmën është edicioni i fundit me Istogun!?

Po kalon periudhën më të artë në kolektivin e Istogut. Elma Kameri është e bindur se do ta fitojnë titullin e kampionit dhe do ta mbrojnë edhe trofeun e Kupës së Kosovës. Lojtarja që luan në pozitën e begut, përgatitet me bashkëlojtaret për sfidën kundër spanjolleve Rincon Fertilidad Malaga, ndeshje e vlefshme e të tetës së finales së Challenge League në hendboll. 

Karakteristikë është se të dyja ndeshjet do të luhen me 2-3 shkurt, sipas marrëveshjes së arritur mes klubeve Rincon Fertilidad Malaga e Istogut. Kameri është shpallur lojtarja më e mirë në vendin tonë dhe për të dytin vit rresht, duke ia bërë mal zemrën edhe trajnerit Faruk Shalës. “Dy herë radhazi hendbollistja më e mirë e Kosovës. Tre herë beku i majtë më i mirë i Kosovës.

Një herë golashënuesja më e mirë e Kosovës. Të gjitha këto i arritëm bashkë duke më qëndruar në krah gjithmonë. Jam shumë i nderuar me të gjitha sukseset e tua dhe qe pata fatin të jem trajner i një vajze të mrekullueshme si dhe një sportisteje të vërtetë. Do të jesh gjithmonë mbretëresha e trajnerit”, ka thënë Shala. Kameri paralajmëron, se ky mund të jetë edhe edicioni i fundit me ekipin e Istogut dhe për arsye personale. “Te ardhmes nuk i dihet, por besoj që është edicioni im i fundit me Istogun”, thotë Kameri për gazetën kombëtare Bota sot”.  Çfarë do të thotë për Ju të jesh më e mira e Kosovës?

Image

Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini dhe Elma Kameri

“Sigurisht është nder dhe kënaqësi të jesh më e mira, vet titulli ta jep edhe një shtytje që të mos ndalesh drejt ëndrrave tua”, përgjigjet hendbollistja. Ajo flet edhe për synimet e Istogut: “Synimet e Istogut janë të qarta: fitimi i titullit dhe Kupës”. Hendbollistja shpreson se do të bëjnë paraqitje të denjë në përballje me Malagën, njëkohësisht të nxjerrin rezultat të favorshëm. “Kemi dy ndeshje mjaft të forta, pasi e njohim kundërshtarin si është, të them të drejtën nuk presim mrekulli, pasi që fondin e lojtareve e kemi ekstremisht të vogël.

E rëndësishme është për ne që të kemi lojë të mirë e pa lëndime”, ka thënë Kameri. Istogu është kampione vjeshtore me 16 pikë, sa ka edhe Vushtrria në vend të dytë, ndërsa ka tri më shumë se kampionia në fuqi Shqiponja dhe se Kastrioti i Ferizajt! Kameri vetëm një skuadër e sheh rivale në luftë për titullin e kampiones dhe asnjë tjetër. “Rivale për ne është vetëm Vushtrria”, përfundoi Kameri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat