Danimarka e Norvegjia në finale të botërorit - Bota Sot
Danimarka e Norvegjia në finale të botërorit

Hendboll

Danimarka e Norvegjia në finale të botërorit

Më: 26 janar 2019 Në ora: 16:05
Danimarka e Norvegjia në finale të botërorit

Përballje skandinave do të jetë finalja e kampionatit botëror për hendbollistë. Në Hamburg të Gjermanisë janë luajtur dy gjysmëfinalet, ndërsa në finale kanë kaluar Danimarka e Norvegjia. Ndeshja finale luhet të dielen prej orës 17:30 në Herning të Danimarkës.
Në gjysmëfinalen e parë, Danimarka e mposhti Francën me rezultat bindës, 38:30. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:15 në të mirë të danezëve. Francezët i kanë fituar dy botërorët e kaluar, por të premten nuk ia dolën të kalojnë danezët. Legjenda Mikkel Hansen ishte i pandalshëm duke shënuar 12 gola për Danimarkën. Kentin Mahe shënoi 8 gola për Francën. 
Edhe në gjysmëfinalen e dytë rezultat ishte bindës. Norvegjia e ka mposhtur Gjermaninë në shtëpinë e saj me rezultat 31:25. Kështu norvegjezët për herë të dytë rresht do të luajnë në finale të kampionatit botëror. Para dy vitesh ishin mposhtur nga Franca. Magnus Rod shënoi shtatë gola për Norvegjinë, kurse nga gjashtë Sander Sagosen e Bjarte Myrhol. Te Gjermania Uwe Gensheimer shënoi shtatë herë kurse Fabian Bohm realizoi gjashtë gola. 
Të dy ndeshjet gjysmëfinale janë luajtur para 12,500 shikuesve. 
Kështu për herë të parë ose Danimarka ose Norvegjia do të fitojnë titullin e kampionit të botës. Norvegjia e ka vetëm atë finale të vitit 2017, kurse Danimarka në finale luan për herë të katërt. Tri finalet e kaluara danezët i kanë humbur (1967, 2011, 2013). Danezët kanë fituar edhe medaljen e artë olimpike në vitin 2016. 
Danimarka e Norvegjia ishin në një grup në raundin preliminar. Ndeshjen mes tyre e fitoi Danimarka me rezultat 30:26. Edhe në fazën e dytë danezët e norvegjezët ishin në një grup, por pa u përballur. Në të dy fazat Danimarka ishte e para kurse Norvegjia e dyta. Danezët kanë vetëm fitore deri tani kurse Norvegjia e ka vetwm atw humbje nga Danimarka.
Të dielen luhet edhe takimi për vend të tretë në mes të Francës e Gjermanisë (14:30).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...