Matarova: Prishtina tregoi veten dhe e mposhti Ferizajn

Hendboll

Matarova: Prishtina tregoi veten dhe e mposhti Ferizajn

Nga: Kemajl Goca Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 15:55
Matarova: Prishtina tregoi veten dhe e mposhti Ferizajn

Prishtina është në garë të fortë për titullin e kampionit të Kosovës (femrat). Bardhekaltrat janë ekipi i vetëm që i shkaktuan humbje Ferizajt me rezultat 30:27 dhe atë të dielën që e lamë pas në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Image

Fitorja e Prishtinës në Ferizaj e ka bërë edhe më interesant kampionatin, për shkak se pozita e katërt me të parin dallon vetëm dy pikë. Istogu është kampione vjeshtore me 16 pikë sa ka edhe Ferizaj në pozitën e dytë, ndërsa Vushtrria dhe Prishtina renditen në vend të tretë përkatësisht të katërt me nga 14 sosh.

Hendbollistja e Prishtinës, Lorena Matarova, që luan në pozitën e begut të majtë, tha se në Ferizaj treguan lojë kolektive dhe kjo i sjelli edhe triumfin e madh në derbin e javës së fundit të stinorit vjeshtor të Superligës së Kosovës.  

“Kemi bërë një lojë mjaft të mirë, lojë kolektive ku kemi pasur një mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta”, tha Matarova për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se do të jetë luftë e ashpër për titull në stinorin pranveror dhe mes cilave skuadrave? “Natyrisht që po, do të jetë një garë mjaft e fortë për titull, skuadrat të cilat janë në garë për titull tashme veç se edhe dihen”, tha ajo.

Matarova është prej lojtareve më të mira e cila me bashkëlojtare dhanë maksimumin në Ferizaj dhe u kthyen ballëlarte. Matarova flet edhe për atmosferën dhe për kushtet: “Në klubin tonë po mbizotëron një atmosferë mjaft e mirë, nuk mungon entuziazmi për sezonin e ardhshëm”. Shihet një rivalitet i madh mes skuadrave, sa iu motivon kjo fitore, i shkaktuat humbjen e parë ferizajasve?

“Natyrisht, Ferizaj na befasoj me lojën e tyre që gjatë sezonit nuk pësuan asnjë humbje, por ne treguam edhe njëherë veten dhe e mposhtem Ferizajn, natyrisht kjo nuk është e tëra, do mundohemi edhe më shumë sepse tashmë dihet rivaliteti që kemi”, përgjigjet begu i majtë i kryeqytetasve.

Kryetrajnere e Prishtinës është Zijavere Loshi-Salihu e cila ka ndërtuar një ekip kompakte, së bashku me punën e palodhshme të kryetarit Nebih Zariqi. Matarova që nuk ka më shumë se 18 vite, ka synime të mëdha: “Synime e mija si lojtare e re në këtë Superligë janë që të punoj më shumë dhe të kemi suksese të mëdha.

Ne si klub kemi synime që të mos mungojnë sukseset dhe pse jo të fitojmë edhe titullin”.

Prishtina ka një gjeneratë të re të lojtareve, a ka mundur të ketë edhe më shumë pikë apo edhe fati sportiv ia ktheu shpinën?

“Ne si ekip kryesisht jemi lojtare te reja dhe me pak përvojë por angazhimi dhe puna që bëjmë po tregon edhe rezultat, natyrisht kemi mundur të kemi edhe më shumë pikë por fati sportiv s’ka qene në anën tonë, mirëpo tash kjo mbetet të shihet në sezonin e ardhshme!”, përfundoi Matarova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat