Xhafolli: Plani është që të luaj sërish në Gjermani - Bota Sot
Xhafolli: Plani është që të luaj sërish në Gjermani

Hendboll

Xhafolli: Plani është që të luaj sërish në Gjermani

Më: 24 prill 2020 Në ora: 15:24
Xhafolli: Plani është që të luaj sërish në Gjermani

Albin Xhafolli është prej hendbollistëve më perspektiv në Kombëtaren e Kosovës. Xhafolli verën e kaluar luajti me Kombëtaren U21 në Botërorin e juniorëve në Spanjë, ndërsa në janar debutoi në Kombëtaren A.

Në edicionin 2019\2020, lojtari i krahut, Xhafolli, ka luajtur në Zvicër te skuadra Fortitudo Gossau. Është paraqitur me shumë sukses, por ai ka bërë të ditur se në edicionin e ardhshëm do të kthehet në Gjermani. Xhafolli ka luajtur për skuadrën e njohur gjermane, Gummersbach, para se të transferohej në Zvicër.

Gjatë garës kualifikuese të Kombëtares A në Itali në janar, Xhafolli ka munguar në dy ndeshjet e para për shkak të një sëmurje. Por ai ka vlerësuar lartë grumbullimin e parë me Kombëtaren A.

“Jam shumë i kënaqur që kam debutuar për Kosovën A. Debutimi erdhi pasi u paraqitëm në Botërorin U21. Atmosfera në Kombëtaren A më ka pëlqyer shumë”, ka thënë Xhafolli, që tashmë është kthyer te familja e tij në Gjermani.

“Unë dua të jap edhe më shumë për Kosovën A. Në debutim nuk kam mundur të luajë në dy ndeshjet e para pasi kisha temperaturë. Por shpresoj që herat tjera do të luajë dhe do të ofrojë më shumë për ekipin kombëtar. Të gjitha parakushtet janë që ekipi i Kosovës të rritet edhe më shumë dhe unë dua të jap kontribut në këtë”, ka theksuar Xhafolli, që shquhet për teknikën që ka.
Ai ka treguar se po vazhdon me stërvitje individuale për të mbajtur formën në këtë kohë. Periudhën në Zvicër nuk e vlerëson edhe shumë lartë, pasi thotë se nuk ishte e standardait që ka pasur te Gummersbachu.
“Plani është që të luaj sërish në Gjermani. Në Zvicër kam pasur kontratë vetëm për një vit. I kam disa plane me menaxherin tim. Duhet të pres edhe pak derisa të përfundojnë disa gjëra. Më pas mund të tregoj se në cilin ekip do të luaj stinorin e ardhshëm”, ka thënë Albin Xhafolli.
Në fund ai ka dhënë një porosi për të gjithë: “Ju lutem, rrini në shtëpi. Nuk është e lehtë, por shëndeti është më i rëndësishëm se dalja nga shtëpia”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat