Festa e hendbollit dhe Kombëtarja e parë ndërkombëtare që e shkeli tokën e shtetit të Kosovës!

Hendboll

Festa e hendbollit dhe Kombëtarja e parë ndërkombëtare që e shkeli tokën e shtetit të Kosovës!

Nga: K. G. Më: 21 korrik 2020 Në ora: 18:22
Me 15 dhjetor të vitit 2002 Kosova-Egjipti U-21, palestra në Gjakovë

Një fakt që nuk duhet harruar! Në dhjetor të vitit 2002, Kombëtarja e Egjiptit U-21 zbarkoi në Prishtinë dhe pastaj ka zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare me Kombëtaren e Kosovës. 

Fakti më interesant është se hendbolli nga sportet kolektive është i vetmi sport që iu ka prirë proceseve të ndërkombëtarizimit. 
FHK-ja ka qenë e para që u pranua me të drejta të kufizuara në Federatën e Hendbollit Ndërkombëtar (EHF) pikërisht me 18 dhjetor të vitit 2004 në kryeqytetin hungarez, Budapest.

FHK-ja ka qenë e para që në vitin 2014 u pranua me të drejta të plota në EHF e IHF. 
Hendbolli është i pari nga sportet tjera kolektive që mori pjesë  me klubet në arenën ndërkombëtare përkatësisht në garat kualifikuese në Kupat Evropiane, nga viti 2005. Është sporti që gjithmonë ka qenë i pari për ndërkombëtarizim!  Sportet tjera kolektive u dashtë të presin së paku 8 apo 10 vite deri në ndërkombëtarizim që të luajnë në rrafshin ndërkombëtar. 

“Kosova - Egjipti, një ndeshje për histori. Një ndër veprimtaritë e para ndërkombëtare (zhvillim i një ndeshjeje ndërkombëtare me përfaqësuese) dhe hyrje në një periudhë të re të veprimtarive ndërkombëtare ishte ndeshja e parë ndërkombëtare, e zhvilluar në cilindo sport në mes të Përfaqësueses së Egjiptit dhe Përfaqësueses së Kosovës për të rinj (U 21), që u zhvillua më 15 dhjetor 2002 në Gjakovë (ndeshje kjo që rezultoi nga takimi i kreut të Federatës së Hendbollit të Kosovës me dr. Hassan Moustafa gjatë vizitës së bërë më 13 korrik 2002). Takimin e fitoi Përfaqësuesja e Egjiptit me rezultat 32:21.

Organizimi i ndeshjes nga ana e Bordit të FHK-së dhe Këshillit të organizimit të këtij takimi historik ishte i shkëlqyeshëm, për çka duhet falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, duke filluar nga Amir Haxhikadriu dhe deri tek kujdestarët e palestrës “Shani Nushi” në Gjakovë, sepse ishte ndeshja e parë ndërkombëtare e zhvilluar në ndonjë sport në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Ishte një atmosferë shumë sportive, emocionuese... ishte ky një çast që ktheu vetëbesimin se vërtet ne kosovarët e meritojmë të paraqitemi në garat  ndërkombëtare.

Nata e 15 dhjetorit 2002 u festua tok në Gjakovë deri në orët e vona... Takimi i 15 dhjetorit 2002, ndërmjet Kosovës dhe Egjiptit, ndodhi pas 40 vjetësh. Ishte viti i largët 1961, kur për herë të parë u gjenden ballë për ballë po këto përfaqësuese.

Fitore patën shënuar egjiptianët. Por, kur i pyet nëse dinë për këtë ndeshje të para 40 vjetëve, ata rrudhin supet, në shenjë mosdijeje. Emocionuese ishin çastet e këndimit të himneve kombëtare të të dy përfaqësueseve. Dalja në skenë e Shkëlzen Jetishit ishte tejet dinjitoze... “Vetëm në fillim të ndeshjes shikuesit u duartrokitën tanëve, sepse më pas rivaliteti nuk ishte i barabartë. Hendbollistëve kosovarë u mungonte përgatitja e duhur fizike, kurse egjiptianët jo vetëm që ishin shumë më të përgatitur, por edhe gjatësia e pesha ishin dukshëm në anën e tyre. Madje dikush thoshte “aq të mëdhenj qenkan, saqë edhe parketi po lëkundet”. Të kota ishin përpjekjet e hendbollistëve tanë për të bërë diç më shumë, dallohej vetëm Leonard Culaj, por edhe portierët e në veçanti  i riu Artan Shipoli. Ndeshja përfundoi me rezultat 32:21 në të mirë të Përfaqësueses së Egjiptit, mirëpo në një spektakël të tillë rezultati ishte në plan të dytë, ngase ndeshja e zhvilluar pati një rendësi të veçantë për sportin kosovar, e këtë kënaqësi na ofroi hendbolli ynë, sport ky dikur krenari e kombit.

Atmosfera në palestër para dhe gjatë ndeshjes, por edhe pas përfundimit të saj ishte madhështore, natyrisht edhe pritja që u bë nga drejtuesit e hendbollit, por edhe mikpritësit e dëshmuar në rastet e tilla, gjakovarët...

Përfaqësuesja e Egjiptit kishte shprehur dëshirën që edhe të nesërmen të zhvillonte një ndeshje, me ndonjërën skuadër të elitës kosovare. U ndeshën me Vëllaznimin e përforcuar me disa lojtarë nga klubet e tjera, por edhe këtë ndeshje e fitojnë udhëtuesit, por këtë herë pak më vështirë, me 5 gola dallim. Dhe, për fund shpresojmë se atë që e premtuan egjiptianët edhe do ta realizojnë: “do t’i bëjmë ftesë Kosovës për të qëndruar në Egjipt. Dhe, nuk përfundon me kaq. Miqësia shtohet”, shkruan mes të tjera në Monografinë e hendbollit “Hendbolli kosovar 60 vjet).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat