Klubet në krizë të thellë

Hendboll

Klubet në krizë të thellë

Nga: Enis Kastrati Më: 27 tetor 2016 Në ora: 19:19
Enis Kastrati

Debate

Të gjithë po e shikojnë se si ka rënë cilësia në hendbollin e Kosovës. Të gjithë jemi të merakosur e të shqetësuar në një mënyrë, sepse ky sport ka traditë dhe ka qenë më i shikuari në të kaluarën në sportet me dorë. Por e dimë se herë do kur do, do të kthehet cilësia, do të bëhen investimet, por është e dhimbshme kur e sheh ligën me vetëm një ekip duke dominuar! Është e sikletshme kur mungon rivaliteti sidomos për kampionin në fuqi, Besa Famiglia, e cila ka tetë ndeshje dhe tetë fitore dhe asnjë ekip nuk mund t’i kundërvihet.  Sidomos ndeshja e fundit në mes Prishtinës dhe Besës ka qenë fitore e pritur e ekipit pejanë, sepse edhe kualiteti është në anën e tyre, por edhe u vërejt përgatitja në çdo aspekt. Klubet janë në krizë të thellë dhe nëse nuk ndërron diçka do të futemi edhe më thellë. Sepse gjendja financiare në klube është shumë e vështirë, me përjashtim të Besës që ka punët shumë më mirë. Natyrisht se pa investime nuk ka edhe rritje të nivelit. Duhet investime nëse dëshirojmë të jemi në hap me ekipet evropiane dhe nëse mendojmë sa për me kaluar edicionin në Superligën e Kosovës, atëherë gjërat do të shkojnë keq e më keq dhe vaj halli ku do të biem edhe më poshtë. Besa do të ishte mirë të luajë në Seha Liga, sepse do të ketë edhe rritje edhe më shumë ajo në nivelin e saj. Është fakt se duhet kushte më shumë sidomos buxhet dhe përforcime cilësore.

Momentalisht me këtë ekip nuk mendoj se do të arrinte te linte ndonjë mbresë, sepse Seha Liga është liga më e fortë në Evropë pas Champiopns Leagues, ku marrin pjesë gjigandët si Vespremi i Hungarisë , Vardari i Shkupit, Zagrebi, e shumë ekipe cilësore. Por nuk do të thotë se edhe Besa nuk do të bëjë ekip të fortë me pak investime, sepse i duhet vetëm një hap para dhe të jetë në hap me të tjerët. Tash disa shtrojnë pyetje se çfarë ka të mirë në këtë edicionin në Superligë. E vetmja e mirë dhe që mund të mburren është se nuk ka incidente, ndërsa për cilësi nuk do koment, ajo vetëm po bie edhe më poshtë dhe nuk e dimë se deri kur do të shkojë kështu.  Megjithatë, një ditë do të këndellem, sepse kështu nuk do të shkojë gjithmonë, pasi që është një sport me traditë dhe që do të josh edhe shumë të rinj në të ardhmen, sidomos edhe sponsorët që të investojnë.

Sepse klubet tani për tani janë në gjumë të thellë dhe në një anë lojtarët i kuptojnë, se pa kushte nuk ka edhe motivim për angazhim. Sepse të gjitha duhet t’i llogarisim që nga lëndimi e deri te udhëtimet që kanë lojtarë për të shkuar në stërvitje e në ndeshje.

Autori është ish-hendbollist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat