Kosova shpreson t’i befasojë turqit

Hendboll

Kosova shpreson t’i befasojë turqit

Nga: K.Goca Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 11:14
Kombëtarja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës është në grupin B me Turqinë dhe Estoninë. Një grup mjaft i fortë, por djelmoshat tanë synojnë të jenë befasi e këtyre kualifikimeve për Euro 2020 në hendboll. Atmosfera në kombëtaren e Kosovës është shumë e mirë dhe me shpresë se do të tregojnë lojë sa më të mirë. Përzgjedhësi Taip Ramadani e ka më së të qartë se sa vështirë do të jetë me turqit. Nga Federata e Hendbollit e Kosovës bëhet e ditur se djelmoshat tanë kanë mbërri në Ankara dje, janë pritur mjaft mirë. “Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve ka mbërri në Ankara të Turqisë, ku sot në orën 17.30 (19.30 me kohën lokale të Turqisë) do të përballet me Kombëtaren e Turqisë në kuadër të fazës së parë të kualifikimeve për EURO 2020. Djelmoshat tanë tani e disa ditë kanë ushtruar dy herë në ditë nën udhëheqjen e përzgjedhësit Taip Ramadanit me bashkëpunëtor. Duhet theksuar se në përbërjen e Kombëtares mungojnë disa hendbollist për shkak te lëndimeve, por kjo nuk e ul motivin për një rezultat sa më të favorshëm duke pasur se Turqia është nikoqire dhe ka një skuadër me përvojë. Por, edhe Kombëtarja e jonë me siguri do te angazhohet maksimalisht, prandaj mund të bëhet edhe befasia në Ankara. Ndeshjen e drejtojnë gjyqtarët nga Kroacia: Gonzurek dhe Cindriç, kurse vëzhguesi është Asgarov nga Azerbajxhani.

Në fakt, Kosova para dy viteve e para startoi ne kualifikimet për EURO 2018”, bëhet e ditur nga FHK-ja. Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. “Atmosfera është e ngrohtë, pritje e mirë nga ana e turqve dhe anëtarëve tjerë. Turqit kanë dy – tri lëndimeve të lojtarëve, ndërsa ne shpresojmë se duhet të kalojmë sa më mirë në këtë sfidë. Me siguri se do t’i rezistojmë, mund të befasojmë, por e gjitha do të tregohet në fushë. Shpresojmë se mund të befasojmë, varet nga disponimi i lojtarëve”, tha Gjinovci. Me 6 nëntor përkatësisht në fundjavë Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë, por kësaj radhe në Prishtinë me Turqinë. Hendbollistët e Kosovës bënë edhe stërvitjen e parë para sfidës së sotme. Forma është e mirë e lojtarëve dhe secili premton maksimumin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat