Nuk ka sinjale për përforcime spektakolare në hendboll!

Hendboll

Nuk ka sinjale për përforcime spektakolare në hendboll!

Nga: Kemajl Goca Më: 11 korrik 2017 Në ora: 17:17
Pamje nga një ndeshje

Debate

Në fillim të javës së ardhshme përkatësisht të martën e 18 korrikut, do të hidhet shorti për EHF Cup dhe Challeng Cup në hendboll dhe ekipet e Kosovës do t’i mësojnë rivalët! Këtë herë Kosova përfaqësohet me pesë klube, dy të meshkujt, Besa Famiglia nga Peja, Trepça nga Mitrovica dhe tri te femrat, Prishtina, Shqiponja e Gjakovës dhe Istogu. Besa Famiglia e Prishtina garojnë në EHF Cup, kurse të tjerat në Challenge Cup. Të gjithë shpresojnë në fat sportiv, por në anën tjetër a do t’i kemi klubet tona më të organizuara e të përforcuara se në edicionin e kaluar? Në fakt, siç shihet do të jetë e njëjta këngë, rrezik që të jenë edhe më të dobët në bazë të situatave që po kalojnë të gjitha klubet.

Besa Famiglia ka një ekip sado kudo me stabile se të tjerat dhe që mund të synojë më shumë, por e cila mund të has në ndonjë rival të fortë qysh në rrethin e parë. Trajneri i Trepçës Taib Kabashi, ka deklaruar më parë se tërë fokusin e ka në lojtarë vendorë, kjo nënkupton se nuk mund të presim ndonjë përforcim të jashtëzakonshëm nga shtetet e jashtme. Sipas kësaj që ka deklaruar Kabashi do të kemi një Trepçë solide për garat evropiane, por edhe mund të befasojë për të mirë, pasi që një numër i madh i tyre janë lojtarë të rinj e entuziast.  

Prishtina te femrat do të jetë me pamje pothuajse të njëjtë, por nuk i dihet në anën tjetër, sepse mund të përforcohen me disa lojtare jashtë vendit. Prishtina ka ekip solide, por për të arritur më shumë duhet të sjellin lojtare me cilësore, e njëjta vlen edhe për Shqiponjën e Gjakovës dhe Istogun. Shqiponja ka ekip të nivelit mesatar dhe që mund të bëjnë diçka në Kosovë, ndërsa për Evropë i duhen shumë përforcime sikurse edhe Istogu. KHF Istogu nuk e ka luksin për Evropë me garniturën që ka, sepse nuk premton shumë për dallim që në ligën e Kosovës mund të jenë mjaft të fortë.

Prandaj, të gjitha ekipet e Kosovës nëse duan të avancojnë në rrethe tjera, pa dyshim se iu duhen  përforcime, jo çfarëdo, por disa prej atyre që vërtet e bëjnë diferencën. Nëse shikojmë në tërësi ekipet, asnjëra nga to nuk e ka at fuqinë financiare që të bëj përforcime, në fakt që mund ta rrisin nivelin goxha mirë. Nëse shkojnë më këtë garniturë të lojtarëve e lojtareve që kanë ekipet do të ishte shumë vështirë për të shkuar lartë në garat evropiane, por vetëm duhet të luten në ndonjë fat sportiv. Fundja, nuk ka sinjale nga klubet për përforcime spektakolare dhe sigurisht që secila ekip do të kërkojë të përforcohet me ndonjë lojtar të kapshëm për nga ana financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat