Eksperti slloven vlerëson lartë seminarin

Hendboll

Eksperti slloven vlerëson lartë seminarin

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 13:39
Një foto e përbashkët e trajnerëve

Shumë i suksesshëm është vlerësuar seminari (këshillimi) qëndror për trajner të hendbollit, që të shtunën e të dielën është mbajtur në Pejë. Për trajnerët tanë ka ligjëruar eksperti nga Sllovenia, Dr. Pori Primozh, që është i angazhuar edhe në përfaqësuesen e Sllovenisë.

Të shtunën është ligjeruar për Planprogramin për përgatitjen kondicionale dhe si model është marrë Planprogrami i përfaqësueses së Sllovenisë. Ka pasur edhe punë praktike, përkatësisht stërvitje për pranadalimin e lëndimeve në hendboll. Të dielen seminari ka vazhduar me pjesën teorike me temën “Stërvitja pas përfundimit të kampionatit”, ndërsa në praktikë është punuar për zhvillimin e forcës bazike në hendboll.

Ligjëratat teorike janë mbajtur në lokalet e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa puna praktike në palestrën “Karagaçi” po në qytetin e Pejës.

Eksperti slloven, Pori Primozh është ndarë i kënaqur me rrjedhën e seminarit.

“Nuk e kam pritur një atmosferë kaq të ngrohtë. Jam shumë i lumtur me pritjen që më është bërë. Poashtu jam i kënaqur me pjesëmarrjen e trajnerëve. Numri i tyre i madh është dëshmi që seminari ishte i suksesshëm. Poashtu më gëzon pjesëmarrja e tyre aktive. Kanë bërë shumë pyetje interesante gjatë seminarit, ndërsa unë jam munduar të jap përgjigje për të gjitha, të ofroj modele për ushtrime kondicionale, përkatësisht për format bashkëkohore të punës”, ka thënë Primozh.

Seminari është organizuar si pjesë e ngritjes profesionale të trajnerëve të hendbollit të vendit. Seminarin e ka organizuar Federata e Hendbollit të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.

Punimet e seminarit i kanë ndjekur trajnerë të të gjitha grupmoshave, duke përfshirë edhe ata të ekipeve seniore. Interesimi, sidomos në ditën e dytë, ishte i madh. Plot 60 trajnerë kanë dëgjuar për zhvillimet e fundit në hendbollin modern.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat