87 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës, asnjë fjalë nga liderët e Kosovës të zënë me takimin e 2 shtatorit në Washington - Bota Sot
87 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës, asnjë fjalë nga liderët e Kosovës të zënë me takimin e 2 shtatorit në Washington

Historia

87 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës, asnjë fjalë nga liderët e Kosovës të zënë me takimin e 2 shtatorit në Washington

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 10:19
Hasan Prishtina

Një ndër figurat qendrore të veprimtarisë kombëtare, politike e organizmit ushtarak të popullit shqiptar shekullin e kaluar padyshim se është Hasan Prishtina. Deputet i Parlamentit Osman, njeri i dijes dhe organizimit ushtarak, ideologu më i madh i bashkimit kombëtar, mbetet Hasan Prishtina.

"Arsimi është shpirti i një kombi" kishte thënë Hasan Prishtina. Janë bërë 87 vite nga vrasja e tij në Selanik. Asnjë nga krerët më të lartë shtetërorë të Kosovës nuk kanë marrë mundin ta përkujtojnë e vlerësojnë në këtë përvjetor të rënies, Hasan Prishtinën.

Ata kanë qenë të zënë me takimin e 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, kur pritet të takohen Kosova me Serbinë.

Në llogarinë e kreut të AAK-së, në “Facebook”, Ramush Haradinaj nuk ka ndonjë reagim për rënien e Hasan Prishtinës. Dy postimet e Haradinajt gjatë ditës së djeshme ishin rreth takimi të 2 shtatorit në Washington ku Haradinaj përshëndeti këtë takim dhe porositi kryeministrin, Avdullah Hoti, që këtë herë të ketë qasje serioze në menaxhim dhe në format të temave dhe takimit duke e ruajtur momentumin e lidershipit amerikan.

Në llogarinë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, katër ditët e fundit nuk ka ndonjë reagim apo postim për ndonjë çështje.

As kryetari i partisë NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ka postuar diçka për Hasan Prishtinën, ai ka përshëndetur takimin në Washington si dhe ka postuar fotografi nga varrimi i një ushtari të UÇK-së.

As presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk ka reaguar në lidhje me përkujtimin e Hasan Prishtinës, përpos se ka gjetur kohë që për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me Medalje Presidenciale ta dekorojë humanistin Turan Rusi.

Thaçi ka shpërndarë edhe një video ku tregon të arriturat e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Por, as kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka ndonjë postim në llogarinë e tij në “Facebook”, në lidhje me 87 vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës.

Kurti në llogarinë e tij ka përkujtuar se 22 vite më parë Adem Demaçi mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së. Ndërkohë ai ka reaguar edhe për takimin e 2 shtatorit në Washington për të cili thotë se kërkohet një sukses i orëve të fundit para zgjedhjeve të 3 nëntorit në Amerikë.

E kryeministri, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme ka qenë shumë i zënë me menaxhimin e pandemisë, ndarjen buxhetore e probleme ditore, kështu që as ai nuk është se ka postuar diçka në lidhje me Hasan Prishtinën. Hoti ka komentuar takimin në Washington duke përshëndetur iniciativën si dhe ka përkujtuar Gurakuq Dobruna, veprimtaria e të cilit ishte e shtrirë në shumë fusha, me theks të veçantë në art e krijimtari, në shëndetësi, në luftën për liri e pavarësi, si dhe tash së fundmi edhe në drejtimin e subjektit politik, Alternativa, dega në Gjakovë.

Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka gjetur kohë për takimin e 2 shtatorit në Washington i cili sipas tij rikonfirmon angazhimin e SHBA-ve në procesin e dialogut, por jo dhe të shkruaj dy fjalë për Hasan Prishtinën. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat