Një varr për Vandën!

Historia

Një varr për Vandën!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 09:39
Një varr për Vandën!

Vanda, një qenushe simpatike, ndërroi jetë në verën e këtij viti. Pronari i saj Haqif Haziri, “mbreti” i pjekurinave, siç e quajnë drejtuesin e Kompanisë “Victoria”, në Zvicër, kafshën shtëpiake, e varrosi sikur të ishte pjesëtare e familjes. Mjeku veterinar zviceran mbeti pa mend, me këtë gjest të shqiptarit nga Malësia e Bujanocit, i cili për dallim nga të tjerët, nuk e la qenushen për ta hedhur në grumbullin e ngordhjeve, por e mori dhe e varrosi në një vend të veçantë, duke i ngritur me bashkëshorten e tij, madje edhe një statujë.

- Kjo qenushe me emrin Vanda, ka bashkëjetuar me ne 14 vjet, tani që ka ndërruar jetë, do ta marr në shtëpi, do ta varrosi në një vend të veçantë, sepse e meriton të ketë një varr e një statujë, si një kujtim për të mos e harruar sa të kem jetë, i tha Haqa, veterinarit të hutuar.

Veterinari zviceran i mallëngjyer e pohoi se nuk i kishte ndodhur diçka e tillë, për aq sa punon në këtë institucion, ngase njerëzit që i sjellin kafshët e ngordhura shtëpiake, nuk i kthejnë prapa në shtëpi!

Por, Haqa nuk është si të tjerët! Ai, është një burrë tipik malësor me tradita të pasura bujarie e fisnikërie. Babai i Haqës, Nezir Sula i Pribocit, një mjeshtër i përpunimit të drurit, ia mbolli dashurinë të birit, për kafshët shtëpiake, sidomos për kalin dhe qenin, miqtë tradicionalë të njeriut.

Haqa, me këtë edukatë u burrërua në Zvicër, duke ruajtur dhe zbatuar në praktikë traditën e të parëve të tij, sidomos ndjeshmërinë ndaj kafshëve shtëpiake. Ai, nuk e kishte vetëm qenushen Vanda, por edhe Timin. Dy qenushët e Haqës, ishin shembull në Lagjen ku jeton në Zvicër, për kujdesin dhe dashurinë që tregon ky njeri shqiptar për botën shtazore.

E tani kur nuk është më Vanda, qenushi tjetër Timi, ndihet i pikëlluar, i vetmuar dhe i mërzitur. Ai, nuk mund të flas për të treguar mërzinë e vetminë tij për humbjen e shokut të jetës, por me instikt, reflekton një dhembshuri, që ta këput shpirtin.

Haqa e merr Timin e del për shëtitje, ashtu siç dilte dikur me të dy qenushët. Sa herë që kthehet në shtëpi pas shëtitjeve, Timi e kthen kokën prapa sikur i mungon diçka dhe lëshon një ulërimë të dhembshme e shumë rrënqethëse.

Personazhi i rrëfimit tonë, Haqif Haziri, është një njeri i mirë, jo vetëm ndaj kafshëve shtëpiake, por edhe ndaj miqve dhe shokëve, si në punë e si në veprimtari atdhetare dhe humanitare. Ai, nuk di as vetë sa para ka dhënë për nevojtarët. të pastrehët, të sëmurët, jetimët e njerëzit e kulturës. Vetëm ata e dinë se sa është dora e gjatë dhe gjepi i thellë i Haqës, për këso veprimtarish njerëzore e humanitare.

Në një takim, që zhvilluam, në qendër të Bujanocit, në pjesën e trashëgimisë kulturore të shtruar me kalldrëm e me lokale të vjetra pastiçerie, Haqa na rrëfen për miqtë e tij njerëzorë e shtazorë. Derisa pinim kafe në shoqëri me mikun tonë miqësor, afër nesh kalon një tufë qensh, prej tyre kishte të tillë të sakatosur, të gjymtuar, të zgjebosur e si mos më keq. I shikonte Haqa e na tregonte se sa këto krijesa vuajnë nga pasojat, që ua shkaktojnë njerëzit, ata lëre që nuk përkujdesen për ta, por edhe ua shtojnë dhembjet fizike dhe shpirtërore e më pas edhe vrasin, duke mos respektuar ligjin që mbron kafshët, nëse si i tillë ekziston te shqiptarët e kësaj province.

Në bisedë e sipër tha edhe diçka, që na bëri të zhytemi në mendime. Ai, tha, mes tjerash, se i ka dy parime në jetë: nëse i vdes gruaja, nuk do të martohet kurrë dhe po qe se i humbë qentë, nuk do të marrë të tjerë për shtazë shtëpiake!

Kemi parë filma, që u janë kushtuar qenve dhe kemi dëgjuar rrëfime të tjera, që u janë thurur këtyre kafshëve të adhuruara shtëpiake, por rrëfimet e Haqif Hazirit, për Vandën, nuk na hiqen dot nga mendja. Themi me vete: Do të ishim më ndryshe, sikur të ketë më shumë njerëz të tillë siç është Haqif Haziri, por, mjerisht, njerëzit e tillë janë të paktë në krahasim me ata, që nuk sillen si miq, shokë e dashamirë, apo jo?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat