Ndër shkrimet e para të gazetës shqiptare në fillimet e pavarësisë: “Kosova asht jona”

Historia

Ndër shkrimet e para të gazetës shqiptare në fillimet e pavarësisë: “Kosova asht jona”

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 12:06
Ndër shkrimet e para

“Kosova asht jona”, mbanë titullin një shkrim i  gazetës “Perlindja e Shqipëniës”, gazeta e parë e publikuar në Shqipërinë e pavarur.

Shkrimi për Kosovën ishte botuar në numrin e 15 të gazetës, në vjeshtën e vitit 1913, në ditë të mërkurë.

Në gazetë shkruante se një numër kushton “10 pare”, derisa poshtë emrit përshkruhej se për çfarë qëndron mediumi.

“Organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare”, thuhet me germa të mëdha, derisa poshtë këtij qëndrimi redaktorial, thuhej se gazeta “del, në Vlonë, ditën e mërkurë e të shtunën”.

“Kosova n’a përket nga gjithë pikëpamjet. Nga do t’a shikosh këtë vënt, as me nj’anë s’ka ngjollë të huaj”, vazhdon shkrimi i gazetës në të cilën kryeredaktor ishte Dhimitër Beratit, gazetar e politikan, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Bertatti, apo Berati, kishte shërbyer edhe si sekretar i delegacionit të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Parisë në vitin 1919.

Pjesë e gazetës ishte edhe shkrimtari, Mihal Grameno, si redaktor kontribuues.

Teksti në këtë numër unik të “Perlindjes”, vazhdonte me përmendjen e qyteteve të Kosovës  me radhë.

“Flasim për Prishtinën, Ikep, Gjakovë, Prizdren, Dibrë, Ohr, Strugë e vise të tjera në shëmbëll të ktyne”.

“Asht vërtet, këtu atje, gjenden të huaj Sërbër, Bullgarë, Vlleh, Turq, Grekë – si kudo. Ka shumë vënde në Ballkan, sa do pak të gjanë, ku vëndësit të jenë, të gjithë, bijt të një kombi? Edhe në pastë, po, vënde të këtilla janë fort të rrallë”, vazhdonte shkrimi duke argumentuar se shtete të pastra etnikisht nuk ka dhe njëjtë ndodhë edhe me Shqipërinë.

“Në Greqië ka Shqipëtarë sa s’bëhet, në Bullgarirë ka turq, Vlleh, Grekër; në Sërbië ka Bullgarë, Vlleh, Shqipëtarë; në Mal të Zi ka Shqipëtarë sa të kërkoni. Këtu s’i kemi vënë në hesap kombe të tjera si Kroatë, Italianë, Israëlitë etj, që janë përhapur më të katër anët e sinisiës s’onë”, shkruan gazeta.

Më pas vazhdohet me pretendimet “historikisht të padrejta” të Serbisë, derisa për korrektësi shkrimi jep disa autorë të huaj e historian që “s’e shihnin punën me syzet e interesit”.

“Serbët janë anmiqt e së drejtës, e dimë. I lemë më njanë, pra auktorët austrianë, italianë e gjermanë, t’i lëmë edhe auktorët shqipëtarë edhe sërbër”.

“Në mos i zenë besë Sërbët shkrimtarëve si Hahn, Diefenbach, Fallmerayer, Giordano etj etj edhe na kemi të drejtë të mos u a mbesojmë fjalët e auktorëve që kanë në bisht t’emënit një vic si Gopçeviç, Milojeviç, Vasseviç, etj”.

“Këtu treguam libra auktorësh që kanë shkrojtur me 40-50 vjet ma parë, aherë kur gjaku nuk ish i ndezëm si asht sot, aherë kur Francasit s’kishin dobië t’i shohin punët me syzet e interesit, kur s’kishin perse t’anojnë nga ana t’onë apo nga ana e Sërbëve”, thuhet në shkrim.

“Ata që e duan të vërtetën, le t’a kërkojnë te auktorët që shënuam ma sipër dhe shokët e atyne, jo te Balacnicus, Gheorgheviç, Wësselirsky, Cheradame, Perraud e disa të tjerë”.

“Perlindja e Shqipëniës” botohej dy herë në javë, por nuk zgjati shumë.

Numri i fundit, ai i 21-ti, ishte botuar në me 28 mars të vitit 1914.

Gazeta, pos misionit informues, ishte një edukatore e kohës për bashkimin e shqiptarëve dhe përballimin e sfidave të atyre viteve të para të pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat