47 vjet nga Kushtetua e vitit 1974

Historia

47 vjet nga Kushtetua e vitit 1974

Nga: Jusuf Buxhovi Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 14:17
Jusuf Buxhovi

Në historikun e shtetndërtimit të Kosovës, kushtetuta që Kuvendi i KSA të Kosovës e miratoi më 28 shkurt 1974, shënon gurëthemelin e saj institucional. Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë tjera të federatës jugosllave, ndonëse ruante gjendjen duale në raport me Serbinë (në kuadër të saj), por si subjekt konstituiv i federalizmit jugosllav. Kjo pasqyrohej më së miri në nenin 1 të kushtetutës federative në paragrafin e parë kur ajo radhitej bashkë me gjashtë republikat e tjera, ndërsa paragrafi i dytë theksonte (përbërjen) në kuadër të RS të Serbisë.

Kryetar i Komisionit që kishte përgatitur debatin publik ishte Fadil Hoxha. Ndërsa në punën e Komisionit Federativ për hartimin e Kushtetutës ishte përfshirë edhe dr. Gazmend Zajmi.

Siç dihet, pozita kushtetuese e KS të Kosovës në përputhje me kushtetutën e vitit 1974, u rrënua dhunshëm, me ndërhyrjen e Serbisë, më 23 mars 1989. Ishte ky një puç ndaj kushtetutës federative, që i hapi rrugën shpërbërjes së federatës jugosllave në gusht të viti 1991 pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni.

Ndaj këtij veprimi, intelektualët e Kosovës, reaguan me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, koncepti i së cilës për barazi u formula në kërkesën për avancimin e pozitës së saj kushtetuese në federatë, kërkesë kjo që politikisht evuloi nga barazia tek pavarësia pas vendimeve të Konferencës së Hagës të gushtit të vitit 1991 kur u pranua shpërbërja e federatës jugosllave, me ç’rast edhe Kosova, Komisionit të Badinterit, ia paraqiti kërkesën për njohjen e shkëputjes nga kjo federatë në përputhje me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, vendimin e Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990 si dhe Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991. Ndonëse Komisioni i Badinterit nuk e shqyrtoi kërkesën e Kosovës, megjithatë nuk e refuzoi, pikërisht duke u mbështetur mbi paragrafin e parë të nenit 1 të kushtetutës federative të vitit 1974 ku edhe dy krahinat (ajo e Kosovës dhe e Vojvodinës), bashkë me gjashtë republikat, theksoheshin pjesë e konstitucionalizmit federativ. Madje, edhe GJND e Hagës, në vitin 2010, të drejtën e Kosovës për shpallen e pavarësisë do ta mbështesë mbi këtë fakt si dhe Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat